Dogana apel qytetarëve e biznesit: Kujdes nga produktet e paligjshme!

Shqipëria

Dogana apel qytetarëve e biznesit: Kujdes nga produktet e paligjshme!

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 23:24
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i ka bërë apel qytetarëve  të tregojnë kujdes ndaj tregtimit të paligjshëm të produkteve të akcizës, veçanërisht alkoolit dhe duhanit.

Me qëllim shmangien e dëmit të drejtpërdrejtë në të ardhurat e buxhetit të shtetit, si dhe një rreziku potencial ndaj shëndetit të qytetarëve gjatë sezonit turistik, Administrata Doganore i kushton vëmendje të veçantë produkteve të cilat tregtohen në pikat e vogla, të mesme dhe të mëdha të shitjes në të gjithë vendin.

“Pikat e shitjes dhe konsumatorët në Shqipëri janë të rrezikuar nga kundravajtës që tregtojnë pije alkoolike dhe produkte duhani të paligjshme (pa pullë fiskale), madje edhe të falsifikuara. Produktet e pakontrolluara dhe të pamiratuara për tregtim përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve duke nisur nga origjina e tyre e panjohur, si dhe kushtet e prodhimit dhe të magazinimit jashtë standardeve të pranueshme.
Gjatë kontrolleve të vazhdueshme Administrata Doganore ka identifikuar shumë raste të tregtimit të paligjshëm të produkteve të duhanit dhe alkoolit dhe ka vepruar duke konfiskuar mallrat e dyshuar, si dhe duke penalizuar shitësit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje tregtarëve të mbrojnë biznesin e tyre nga mashtrimi, duke u siguruar mbi besueshmërinë dhe ligjshmërinë e furnitorëve dhe furnizimeve të tyre. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat