Vettingu i Llallës, zbardhen “prapaskenat”

Shqipëria

Vettingu i Llallës, zbardhen “prapaskenat”

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 13:19
Adriatik Llalla

Vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për ndalimin e procesit të vetingut ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla zbulon se ende nuk ka një mendim të unifikuar rreth mënyrës se si do të gjykohen rastet e ngjashme të anëtarëve të sistemit të drejtësisë që japin dorëheqjen kur procesi i vetingut ka filluar.

Shumica e trupës  gjykuese, përkatësisht relatori i çështjes Luan Daci dhe gjyqtarët Ina Rama e Ardian Hajdari u shprehën se vendimi i KPK-së për të ndërprerë vetingun ishte i drejtë dhe se KPA duhej vetëm ta korrigjonte atë, duke shtuar në vendim ndalimin 15-vjeçar të kthimit në sistem të Llallës. 

Ndërkohë pakica e përfaqësuar nga  Albana Shtylla dhe Sokol Çomo kërkoi prishjen e vendimit, duke argumentuar se referimi në nenin 56 të ligjit 84/2016 (Për rivlerësimin kalimtarë të gjyqtarëve e prokurorëve), ishte i gabuar pasi efektet e këtij neni kishin mbaruar tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe për këtë dorëheqja e bazuar mbi këtë ligj nuk kishte bazë ligjore. Ata kërkuan që procesi i vetingut për ish-kryeprokurorin të rihapej.

Dorëheqja e Llallës

Çështja lindi menjëherë pasi Llallës i mbaroi mandati si kryeprokuror në dhjetor 2017 dhe u zëvendësua në detyrë nga Arta Marku. Vendimi i zbardhur i KPA-së tregon se fillimisht ish-kryeprokurori i ka kërkuar Komisionit të ndërpresë rivlerësimin për të për shkak se ai nuk ishte më Prokuror i Përgjithshëm.  Në vendim del se Llalla i shkroi KPK-së në Janar duke pretenduar se ai “nuk konsiderohet më subjekt rivlerësimi, aq më tepër subjekt prioritar për t’iu nënshtruar rivlerësimit sipas ligjit”.

Por KPK e njoftoi ish-kryeprokurorin, ndaj të cilit më vonë filloi edhe një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, se procesi i rivlerësimit nuk ndërpritej prej mbarimit “të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ai gëzonte statusin e magjistratit dhe të drejtën e emërimit në nivel apeli”.

Kryetarja e KPK-së i shkroi Llallës se procesi mund të ndërpritej vetëm nëse ai jepte dorëheqjen nga ky status dhe po ashtu të hiqte dorë nga e drejta e rikthimit në sistem. Pas kësaj, në shkurt Llalla dha dorëheqjen pranë institucionit të presidentit të Republikës duke u bazuar në nenin 56 të ligjit për rivlerësimin e gjykatësve e prokurorëve dhe nenit përkatës në Kushtetutë. Menjëherë pasi u njoftua për këtë KPK vendosi të ndërpresë rivlerësimin për Llallën.

Por kjo ndërprerje u apelua nga Komisioneri Publik, i cili arsyetoi se kishte mangësi në vendimin e KPK dhe se dorëheqja- siç ishte bërë linte hapësirë për “keqinterpretime”. Llalla i cili nuk u paraqit në seancat e zhvilluara në KPA, këmbënguli përmes avokatit të tij se dorëheqja ishte e vlefshme dhe se përmbushte kriteret ligjore.

Vendimi i shumicës

Tre nga pesë anëtarët e trupës gjykuese të KPA në fund të shqyrtimit të rastit i dhanë pjesërisht të drejtë Komisionerit Publik. Ata gjykuan se vendimi i KPK-së duhej korrigjuar dhe në të duhej të ishte bërë e qartë që Llalla nuk kishte të drejtë të rikthehej në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Kështu ata vendosën të shtonin në dispozitiv: “Ndalimin e emërimit të z.Adriatik Llalla gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë, Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë prej 15 vitesh.”

KPA po ashtu në arsyetim u shpreh se KPK duhej ta përdorte këtë në vendime të mëvonshme. “Duhet të përfshihet edhe parashikimi i paragrafit 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, i cili sanksionon ndalimin për emërim, i cili duhet të aplikohet në rastin kur subjektet e rivlerësimit dorëhiqen nga detyra dhe procesi i rivlerësimit ndaj tyre ndërpritet”, arsyetuan tre gjykatësit në mendimin e shumicës.

Ata thanë se “një vendimarrje e pajisur me këto elemente, heq çdo mundësi për keqinterpretime apo abuzime me të drejtën”. Arsyetimi lë të kuptohet se dorëheqja, të cilën Kushtetuta nuk e kufizon në kohë, është në përputhje me qëllimin e procesit të vetingut, pra largimin nga sistemi të personave që nuk mund ta kalojnë këtë proces.

Përcaktimi i këtij kufizimi në vendim sipas tre gjykatësve “garanton mbrojtjen e interesit të publikut të sanksionuar në Kushtetutë, për të mos lejuar kthimin e kësaj kategorie subjektesh në sistemin e drejtësisë për periudhën e përcaktuar në Aneksin e Kushtetutës”.

Nga ana tjetër, shumica rrëzoi kërkesën e Komisionerit për prishje të vendimit. Duke u bazuar kryesisht në faktin se KPA kishte të drejtë të ndryshonte vendimet e KPK-së dhe t’i korrigjonte ato, shumica u shpreh se vendimi nuk do të rikthehej për shqyrtim.

Ata po ashtu vlerësuan se në proces dhe gjatë shqyrtimit nga KPA akti i dorëheqjes ishte bërë i qartë përmes avokatit dhe se nuk kishte arsye për të dyshuar se ai ishte bërë me vullnet të lirë. Megjithatë ata kërkuan që në raste të ngjashme, KPK duhej të merrte parasysh këtë vendim duke kërkuar që Komisioni të hetojë nëse dorëheqa është bërë me vullnet të lirë dhe të përcaktojë në vendim efektet e kësaj doërheqje.

Qëndrimi i pakicës

Dy gjykatës të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit argumentuan se vendimi duhej të ishte prishur dhe procesi i vetingut për Llallën të rihapej. Ata shkruan në mendimin e pakicës se ai (vendimi i KPK) ishte marrë duke zbatuar gabim ligjin dhe në keqinterpretim të Kushtetutës.

Ata thanë se dorëheqja e Llallës te institucioni i Presidentit të Republikës ishte bazuar në një dispozitë, e cila kishte humbur fuqinë ligjore dhe si e tillë, nuk ka arritur të prodhojë efektet e pritshme juridike për të mundësuar ndërprejen e procesit të rivlerësimit”.

Po ashtu, pakica argumentoi se në rastin konkret KPK duhej të kishte kryer seancën dëgjimore dhe respektuar të drejtën e subjektit për “t’u dëgjuar”.

Pakica u shpreh se bazuar në këtë fakt vendimi duhej prishur. Ata arsyetuan se ndërsa Kushtetuta nuk ia lejonte KPA-së të kthente pas vendimet përfundimtare të KPK-së kur kjo kishte kryer rivlerësimin e subjektit, por në këtë rast vendimi ishte për ndërprerje të rivlerësimit dhe KPA kishte të drejtë ta prishte atë. Pakica arsyetoi se vendimi duhej prishur dhe KPK duhej të rifillonte procesin e vetingut për Adriatik Llallën./birn

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat