Falsifikoi formularin e dekriminalizimit, çfarë e shpëtoi nga burgu Elvis Roshin

Shqipëria

Falsifikoi formularin e dekriminalizimit, çfarë e shpëtoi nga burgu Elvis Roshin

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 08:53
Elvis Roshi

Ish-kreu i Bashkisë së Kavajës, i prekur nga dekriminalizimin, do të kryejë 60 ditë punë me interes publik.

Ky ishte edhe vendimi përfundimtar i Gjykatës së Tiranës, e cila u shpreh për akuzën e “falsifikimit të formularëve” për ish-kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Ky i fundit, u shpall fajtor për fshehjen e një dënimi në Itali, i cili kishte marrë formën e prerë që në vitin 1994.

Në seancën e djeshme u mbajtën edhe konkluzionet e Prokurorisë, po ashtu edhe të mbrojtjes. Vetë i pandehuri Elvis Rroshi ishte prezent me avokatin e tij, Maks Haxhia. Prokurori Enklid Gjini, gjatë parashtrimit të pretencës tha se Elvis Rroshi kishte përdorur disa emra të ndryshëm gjatë periudhës kohore 1994-1998, por edhe më vonë. Ndër ta përmendi Ervin Rroshi, Ervin Rroki, Landi Biba, Enver Rroshi etj.

Sipas tij, janë dërguar letërporosi në Gjermani dhe Zvicër për aktivitetet e Rroshit kur ka qenë emigrant atje, por nuk janë marrë përgjigje të plota, pasi në këto vende, vepra penale për të cilën akuzohet Rroshi, nuk është në legjislacionet e tyre. Prokurori Gjini tha se Elvis Rroshi rezulton se është ndaluar disa herë në Itali.

Ai është dënuar në vitin 1994 për përdhunim në bashkëpunim të një shtetaseje shqiptare në Kampobaso. Rroshi madje ka qenë në dijeni, pasi është arrestuar disa kohë më pas dhe është deportuar për në Shqipëri. Pas kësaj, ai ka tentuar të hyjë dy herë në Itali me gomone, ku është ndaluar përgjatë vitit 1998.

Në të dyja këto ndalime, Rroshi ka përdorur emra si Ervin Rroku apo Ervin Rroshi. Në përfundim, prokurori kërkoi nga Gjykata që Elvis Rroshi të dënohej përfundimisht me 7 muaj e 15 ditë burgim dhe të merrej parasysh edhe gjykimi i shkurtuar.

Gjithashtu, prokurori përmendi si rrethanë lehtësuese pendimin e thellë të shfaqur nga i pandehuri për këtë vepër penale, si edhe gjendjen e tij aktuale, i cili është baba i dy fëmijëve të mitur.

Për këtë arsye, prokurori kërkoi që të pezullohej vuajtja e dënimit me burg dhe të konvertohej në shërbim prove.

Nga ana tjetër, avokati i Rroshit Maks Haxhia, tha se klienti i tij e ka pranuar veprën penale që ka bërë dhe ka shfaqur pendesë të thellë për të. Ai shtoi gjithashtu se për dënimin në Itali, Rroshi ka ankimuar dhe ka fituar të drejtën e rigjykimit.

Ai kërkoi që klienti i tij të dënohej me punë me interes publik dhe të pezullohej dënimi me burg. Në të njëjtën linjë ishte edhe vetë ish-kreu i Bashkisë së Kavajës, duke pohuar ato që kishte parashtruar avokati.

Trupa gjykuese u tërhoq në dhomën e këshillimit për rreth 30 minuta dhe më pas shpalli vendimin përfundimtar, që e dënon Rroshin me 7 muaj e 15 ditë burgim, që ulet në 5 muaj burgim dhe në përfundim, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rrezikshmërinë shoqërore të ulët të veprës penale dhe të individit, e konverton dënimin me 60 ditë punë me interes publik.

Në këtë mënyrë, mbyllet procesi ndaj ish-kryebashkiakut që nuk deklaroi dënimin me 4 muaj burgim për përdhunim në Itali. Ky mosdeklarim i kushtoi postin e drejtuesit vendor ish-kyrebashkiakut të Kavajës, por ama, ai i shpëtoi burgimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat