PD nxjerr bilancin: Rama do të fitojë 205 milionë euro nga 6 kullat te Teatri

Shqipëria

PD nxjerr bilancin: Rama do të fitojë 205 milionë euro nga 6 kullat te Teatri

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 13:45
Deputetja e PD-së Albana Vokshi

Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka dalë sot sërish në një konferencë për mediat, lidhur me atë që po ndodh me truallin pranë teatrit Kombëtar.

Sipas Vokshit Edi Rama është prej 20 vjetësh armiku kryesor i Teatrit Kombëtar, ndërsa nga plani i tij mafioz për të ndërtuar 6 kulla në zonën e Teatrit, Edi Rama fiton të paktën 205 milionë euro.

Deklaratë e Kryetares së Komisionit të Kulturës Albana Vokshi:

Plani mafioz i Edi Ramës për të shembur Teatrin Kombëtar është një plan i hershëm dhe i mirëmenduar.

Historiku që po prezantojmë sot provon se prej 20 vjetësh Edi Rama është armiku kryesor i Teatrit dhe i artistëve.

Që kur ka marrë pushtet në vitin 1998, kur u bë Ministër Kulture, Teatri Kombëtar dhe denigrimi i artistëve ka qenë në shënjestrën e Edi Ramës, i cili ka kryer veprime konkrete për shembjen e tij dhe betonizimin e Qendrës Historike të kryeqytetit.

Me të marrë detyrën, 20 vjet më parë, Edi Rama caktoi se godina rrezikohej nga zjarri dhe urdhëroi mbylljen e sallave të shfaqjeve.

Dha me qera me 1USD/m2 ambientet e Teatrit Kombëtar, i cili u kioskëzua, u kthye në bingo dhe bar kafe, duke e zhytur teatrin në borxhe për shkak të lidhjeve të paligjshme të bizneseve të Ramës brenda Teatrit.

Edhe kundërshtia e tij me Pandeli Majkon për Teatrin është 20 vjeçare, sepse ish kryeministri doli në krah të artistëve, të cilët kërkuan rikonstruksionin e Teatrit që, në atë kohë, sipas studimit të kryer, kushtonte vetëm 1 milionë USD.

Edi Rama Ministër Kulture devijoi qëllimshëm çdo fond buxhetor dhe të donatorëve të destinuar për Teatrin në projekte personale.

Këtë gjë ai e bëri edhe si Kryetar Bashkie, kohë gjatë së cilës promovoi idenë e ndërtimit me koncesion të Teatrit Kombëtar. Kjo ide e vitit 2002 dështoi për shkak të protestave të artistëve.

Si kryeministër, Edi Rama, mashtroi artistët, të cilëve u kishte premtuar para ardhjes në pushtet rikonstruksionin e plotë të Teatrit Kombëtar. Kjo jo vetëm nuk ndodhi, por ai u soll njësoj si në 1998-ën.

Me përvojën e 20 përqindëshit për çdo leje ndërtimi në bashki, Edi Rama e perfeksionoi skemën e korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista.

Me zgjedhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama vendosi ekzekutimin përfundimtar të planit mafioz për shembjen e Teatrit dhe betonizimit të Qendrës Historike të Tiranës. 

 Partia Demokratike publikoi dje të dhëna konkrete sesi Edi Rama në shkurt 2016 vendosi përgjysmimin e çmimit të truallit në zonën e Teatrit Kombëtar, një muaj para se kompania guackë e përzgjedhur prej tij për pastruar paratë pista, Fusha shpk, bleu një pronë në të njëjtën zonë.

Në Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës 2017, ndryshe nga zonat e tjera ku sipërfaqja e ndërtimit, koeficienti i shfrytëzimit dhe numri i kateve janë të përcaktuara, në zonën ku është Teatri gjithçka u la hapur, që ta vendosë vetë Edi Rama në bazë interesave të tij financiarë.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve fitimi minimal për 1 kullë është 34.2 milionë euro.

Fitimi i planifikuar nga Edi Rama nëpërmjet skemës mafioze të grabitjes së pronës publike duke shembur Teatrin për të ndërtuar 6 kulla është të paktën 205 milionë euro.

Transparenca jonë për këtë akt mafioz do të vazhdojë me këmbëngulje, pavarësisht tendencës së mediave kryesore në vend për të censuruar opozitën! 

Partia Demokratike, qytetarët që duan ruajtjen e vlerave kulturore, si pjesë e identitetit tonë europian, qytetarët që duan Tiranën, qytetarët që nuk  pranojnë grabitjen dhe qeverisjen nga mafia nuk do të lejojnë triumfin e së keqes!/FW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat