Rama: Do të punojmë fort që të ecim më shpejt me negociatat

Shqipëria

Rama: Do të punojmë fort që të ecim më shpejt me negociatat

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 12:46
Edi Rama dhe Donald Tusk

“Shqipëria është e angazhuar të punojë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt”.

Kështu deklaroi sot në Bruksel, kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Kryeministri Rama shprehu fillimisht mirënjohjen që vendimi i Këshillit në qershor ishte një vendim pozitiv.

“E di që nuk ishte i lehtë, por në fund është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dritën e gjelbër për të filluar menjëherë punën përgatitore, që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “ka qenë vërtetë një zgjidhje shumë e mirë”. 

“Ka shumë rëndësi për ne që të futemi në këtë proces dhe gjatë këtyre 12 muajve të punojmë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt”, tha Rama.

Ai informoi se javën e ardhshme në Tiranë do të vijë Komisionari për Zgjerimin, Johanes Hahn për t’u ulur me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces shumë të madh analitik në kuadër të punës përgatitore.

“Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës evropiane dhe zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe kemi bërë progres të mirë. Shpresoj se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal”, tha Rama.

Rajoni, sipas tij, “ka bërë një progres  të madh, por ka ende shumë për të bërë”. “Ne mbështetemi tek ju, tek udhëheqja juaj, te të gjithë në Bruksel, për të ecur përpara më me shpejtësi dhe për të arritur të gjitha rezultatet e nevojshme në këtë kohë shumë intensive, por të qenësishme për Shqipërinë”, shtoi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat