Basha: Vetting-u po ecën ngadalë. Rezultati i reformës në drejtësi, zero

Shqipëria

Basha: Vetting-u po ecën ngadalë. Rezultati i reformës në drejtësi, zero

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 19:22
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Uashington, ku të enjten mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Instituti “Hudson”, lidhur me marrëdhëniet transatlantike.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Basha tha se “vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën me ritme të ngadalta pasi Partia Socialiste ka hedhur poshtë kërkesën edhe të organeve të vetting-ut edhe të opozitës për t’u pajisur me një buxhet të mjaftueshëm dhe me burime njerëzore, në mënyrë që vetting-u të ecë më shpejt”.

“Partia Socialiste votoi për të prerë me 40 për qind buxhetin e propozuar nga organet e vetting-ut. Tani organet e vetting-ut nuk janë në gjendje të përparojnë me ritmet e duhura, duke vënë në pikëpyetje kalendarin e reformës në drejtësi, duk shtyrë krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, shtyrje që është antikushtetuese, sepse ke Kushtetutë këto dy organe duhet të ishin krijuar prej kohësh. Në vend të korigjojë atë që ka bërë vet gabim, pra miratimin e njëanshëm të ligjit të vetting-ut dhe injorimin e propozimeve të opozitës, në vend që të rikthehet te Kushtetuta, në vend që të rikthehet te propozimet tona, se kanë qenë edhe propozimet tona për të mbështetur me financime dhe burime njerëzore komisionet e vetting-ut, tani ai po propozon të krijojë institucione jashtë kuadrit të reformës në drejtësi, të cilat të kenë që edhe pa vetting të emërojë gjyqtarë dhe prokurorë. E ka bërë këtë me prokuroren e përgjithshme, e cila u emërua në kundërshtim me Kushtetutën, tani do t’i japë kësaj prokurore të përgjithshme dhe KLD-së kompetenca për të futur pa vetting dhe jashtë procedurave kushtetuese kandidatë në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së shtoi se nga kjo gjendje “dilet vetëm duke u rikthyer te konsensusi kushtetues dhe duke u rikthyer te Kushtetuta, e cila u miratua me 140 vota”.

“Nuk kemi asnjë bandë të krimit të organizuar të çmontuar, nuk kemi asnjë kokë të krimit të organizuar para gjykatës, nuk kemi asnjë politikan të lidhur me krimin, apo të korruptuar para drejtësisë. Pra, rezultatet e reformës në drejtësi janë akoma zero”, theksoi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat