Nis regjistrimi i ekspertëve në gjykata, udhëzimet si mund të kryhet - Bota Sot
Nis regjistrimi i ekspertëve në gjykata, udhëzimet si mund të kryhet

Shqipëria

E martë, 17 korrik 2018

Nis regjistrimi i ekspertëve në gjykata, udhëzimet si mund të kryhet

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 08:12
Ilustrim

Të gjithë ekspertët që ushtrojnë aktivitetin pranë gjykatave në vend do të duhet që të regjistrohen në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve, proces që ka nisur nga e marta e kësaj jave pas një kërkese të Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo e fundit sqaron kriteret që duhet të përmbushin ekspertët që regjistrohen në regjistër ku mes të tjerave të kenë dhjetë vjet përvojë profesionale në fushën specifike apo të ngjashme, të kenë pesë vjet përvojë profesionale nëse aplikanti ka përfunduar një trajnim profesional në fushën përkatëse, të kenë zotësi të plotë për të vepruar,  të jenë të regjistruar dhe të kenë përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet në organet tatimore.

Po kështu kërkohet që të mos jenë dënuar për veprën penale të ekspertimit të rremë apo për ndonjë vepër tjetër penale që lidhet me ushtrimin e ekspertizës së ofruar.

“Aplikimi për regjistrimin në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve bëhet pranë Ministrisë së Drejtësisë në rrugë postare në adresën: Ministria e Drejtësisë, Blvd. “Zogu I”, Tiranë. Aplikanti i interesuar për regjistrimin në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve duhet të klikojë në linkun “Formular apilikimi per regjistrimin e eksperteve”. Pasi e shkarkon elektronikisht formularin e kërkesës plotëson aplikimin, sipas të dhënave të kërkuara, duke bashkëlidhur dokumentacionin shoqërues përkatës.

Aplikantët e interesuar për regjistrimin në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve paraqesin të plotësuar formularin e kërkesës të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:

i. jetëshkrimin e plotësuar sipas formatit të përcaktuar në linkun “Jeteshkrimi_model”; kopje të pasaportës apo kartës së identitetit;

ii. formularin e plotësuar të vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore;

iii. vërtetimet e licencimit dhe kualifikimit si ekspert në fushën përkatëse të ekspertizës;

iv. vërtetime mbi përvojën profesionale si ekspert në fushën specifike apo të ngjashme;

v. vërtetim mbi trajnimin profesional në fushën përkatëse;

vi. vërtetim nga organet tatimore për përmbushjen e rregullt të detyrimeve;

vii. të dhënat e numrit të NIPT-it;

viii. librezën e punës apo librezën e sigurimeve shoqërore ku të përfshihen të dhënat që vërtetojnë pagesën e kontributeve shoqërore;

ix. vërtetim nga gjykata që gëzon zotësi të plotë për të vepruar.

Aplikimi dhe dokumentet shoqëruese do t’i nënshtrohen procedurës administrative të shqyrtimit dhe verifikimit nga Ministria e Drejtësisë. Në rast se gjatë procedurës së shqyrtimit të aplikimit do të konstatohen mospërputhje, Ministria e Drejtësisë do të kërkojë informacion shtesë dhe verifikim të të dhënave nga institucioni që ka licencuar ekspertin. Aplikanti do të njoftohet me shkrim, në adresën e komunikimit të deklaruar në formularin e aplikimit, mbi ecurinë e procesit të shqyrtimit të aplikimit” sqaron Ministria e Drejtësisë.

Ekspertët që ushtrojnë aktivitetin e tyre pranë gjykatave mund ti përkasin disa kategorive si auditues ligjorë, ekspertë fiskalë, ekspertë minerar, vlerësues të dëmeve në sigurime të licencuar nga AMF, anëtarë të shoqatës së vlerësuesve të pasurive të paluajtshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test