Majko: Diaspora të përfshihet në strukturën e qeverisjes vendore

Shqipëria

Majko: Diaspora të përfshihet në strukturën e qeverisjes vendore

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 16:43
Këshilli Konsultativ, Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Lokale

Ky është synimi i projektligjit të propozuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën, ‘Disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Draft projektligji u diskutua në mbledhjen e radhës së Këshillit Konsultativ, Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Lokale.

Ndërsa përmendi ligjet e miratuara në kohë rekord për diasporën, Ministri Majko tha në fjalën e tij se struktura e re ligjore parashtron nevojën për ndryshime. Në ligjin ‘Për vetëqeverisjen vendore”, sipas Ministrit duhet të bëhen ndryshime dhe shtesa që do të garantojnë trajtimin e shqiptarëve jashtë vendit si pjesë integrale të bashkësisë shqiptare. 

Ndër të tjera Majko propozon krijimin e zyrave të posaçme për diasporën nëpër Bashkitë e vendit, të cilat do të shërbejnë si pika komunikimi të përfaqësuesëve të komunitetit jashtë vendit me pushtetin lokal.  Ato do të ofronin informacione dhe ndihmë për çështje të ndryshme lidhur me dokumentacionin, biznesin etj.

Ministri shtoi se problemet e regjistrimit apo të pashtetësisë duhet të adresohen edhe në nivel lokal dhe prandaj krijimi i një zyre të tillë është i rëndësishëm. Zyra do të shërbente si një urë lidhëse edhe për ata shtetas jashtë vendit që janë të interesuar për investime. 

Anëtarët e Këshillit vlerësuan propozimet e Ministrit Majko, që siç thanë, përfaqësojnë një frymë të re ndryshimi për komunitetin e rëndësishëm të diasporës.

Palët u dakordësuan që deri ne fund të muajit korrik do të hartojnë një mendim të përbashkët të bashkive lidhur me draft-projektligjin e paraqitur nga Ministri i Shtetit për Diasporën, para se ai të kaloje në qeveri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat