A duhen ngritur kampe emigrantësh në Shqipëri, çfarë mendojnë qytetarët

Shqipëria

A duhen ngritur kampe emigrantësh në Shqipëri, çfarë mendojnë qytetarët

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 14:02
Ilustrim

Thuajse gjysma e shqiptarëve mendojnë se ardhja e refugjatëve në vendin tonë do të dëmtonte ekonominë vendase.

Barometri i Ballkanit për 2018—ën thotë se, 46% e shqiptarëve e vlerësojnë si negativ impaktin e refugjatëve në ekonominë tonë. Kjo është norma e dytë më e lartë në rajon,  pas Maqedonisë, ku 56% e popullsisë duket se është kundër refugjatëve.

Të dhënat tregojnë se, në të njëjtat nivele me shqiptarët e Shqipërisë janë edhe shqiptarët e Kosovës, të cilët vijnë fill pas nesh, me një normë disaprovimi në 45%. 

Nga ana tjetër, shqiptarët e Shqipërisë që mendojnë se refugjatët do t`i bëjnë mirë ekonomisë dhe që kanë një mendim pozitiv për ardhjen e tyre në vendin tonë, janë vetëm 23% e popullsisë. 

Për shqiptarët e Kosovës norma fiksohet në 25%. Pjesa e mbetur ndërkohë shprehen indiferentë në lidhje me këtë çështje, duke deklaruar se nuk do të ketë impakt domethënës, pra as pozitiv e as negativ.

Të dhënat janë mbledhur në formën e një ankete dhe tregojnë kështu se shqiptarët nuk janë aspak dakord me ardhjen e refugjatëve në vendin tonë.

Çështja u diskutua gjerë e gjatë muajin e kaluar, me Bashkimin Europian që duket se morri seriozisht idenë e dislokimit të refugjatëve në vendin tonë. Gjithsesi, qeveria shqiptare e mbylli njëherë e mirë këtë derë, duke logjikuar si pjesa dërrmuese e shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat