“Çudira shqiptare”, gjyqtari i dënuar për vjedhje në Itali: S’e kam kryer, por e pranova për humanizëm

Shqipëria

“Çudira shqiptare”, gjyqtari i dënuar për vjedhje në Itali: S’e kam kryer, por e pranova për humanizëm

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 10:42
Admir Thanza

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti sot një seancë dëgjimore me anëtarin e Gjykatës së Lartë, gjyqtarin Admir Thanza.

Gjatë seancës doli në dritë se ONM-ja ka zbuluar se gjyqtari Thanza ka qenë i dënuar për vjedhje në shtetin italian, por nuk e ka deklaruar në formular.

“Admir Thanza ka qenë i dënuar nga shkalla e parë në Itali në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë”, ishte konkluzioni i lexuar nga ONM-ja.

Thanza e ka pranuar dënimin në shtetin italian, por theksoi se nuk e ka kryer krimin për të cilin është akuzuar.

“E kam pranuar veprën atëherë për shkaqe humanizmi dhe për shkaqe familjare, por nuk e kam kryer asnjëherë”, është shprehur ai.

Trupa e KPK ka lexuar raportin e ILDKP ku thuhet se Thanza ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij. Duke iu referuar raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), trupa gjyqësore e KPK thotë se sipas kësaj drejtorie Thanza ka kontakte me personazhe të krimit, por konkluzionet janë të pabazuara në fakte.

“Gjyqtari ka një apartament banimi me sipërfaqe 136 m2 në Shkodër. Për këtë apartament ka një anomali. Vlera e apartamentit e deklaruar nga Thanza nuk përputhet me çmimin e kontratës së shit-blerjes që është 1.2 milionë lekë, ndërsa gjyqtari e ka deklaruar sikur është blerë 3 milionë lekë. Në deklarimin e vitit 2004 mungon deklarimi i një garazhi, që e ka deklaruar në deklaratën e Vettingut. Gjyqtari Thanza nuk ka justifikuar burimet për blerjen e këtij apartamenti. Thanza ka dhe një apartament me sipërfaqe 113 m2 te Komuna e Parisit, në Tiranë.

Gjyqtari ka deklaruar apartamentin si pasuri të gruas së tij, por edhe këtu ka mospërputhje. Apartamenti është blerë në 2003 për 1.9 milionë lekë, ndërsa gjyqtari e ka deklaruar sikur është blerë 4 milionë lekë. Sipas DSIK Thanza ka kontakte me personazhe të krimit, por konkluzionet e DSIK janë të pabazuara në fakte. Ndaj tij janë paraqitur 13 denoncime nga publiku, por edhe ato janë të pabazuara në fakte. Thanza ka probleme dhe me shtyllën e aftësive profesionale”- thuhet në raportin e lexuar nga trupa e KPK.

Thanza e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1992, pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë. Ai ka punuar në Gjykatën e Shkodrës në vitet 1992-2006, në atë të Tiranës në vitet 2006-2009 si dhe ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitet 2009-2013. Thanza ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Krahas ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, Thanza ka punuar edhe si pedagog i jashtëm në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër si dhe pedagog i të Drejtës Civile dhe të Drejtës Kushtetuese në Universitetin Europian të Tiranës dhe atë “Justiniani i Parë”. Prej vitit 2013, Thanza ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Admir Thanza nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat