Shqipëria po përjeton një rritje të numrit të turistëve

Shqipëria

Shqipëria po përjeton një rritje të numrit të turistëve

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 20:57
Romana Vlahutin

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin deklaroi sot se “Shqipëria po përjeton një rritje domethënëse të numrit të turistëve dhe se e meriton të ketë standarde si Bashkimi Europian”.

Në ceremoninë e përurimit të impiantit të përpunimit të ujërave, në Vlorë, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin vlerësoi faktin se “Shqipëria ka bërë shumë përparime”.

Në fjalën e saj, Vlahutin tha se “është gjithmonë kënaqësi të kthehesh në Vlorë”. “Kam qenë shumë herë këtu, duke nxitur për shumë projekte që të përfundojnë dhe ia kemi dalë. Dhe jam shumë e lumtur te them se disa nga investimet strategjike që ne kemi bërë në këtë qytet, si ky impiant, si shëtitorja, kanë ndryshuar mirëfillti fytyrën e Vlorës”, tha ajo.

“Ky impiant i trajtimit të ujërave të ndotura është një evenimet i madh i investimit që kemi bërë dhe do të jetë për të gjithë ata që jetojnë në Vlorë dhe ata që vizitojnë Vlorën, përsa i përket cilësisë së mjedisit e ujërave ku lahen”, tha Vlahutin.

Më tej, Vlahutin shtoi se kjo është shumë e rëndësishme për jetën e qytetarëve, por dhe për standardet mjedisore dhe ekonomikë duke nisur me turizmin.

“Shqipëria po përjeton një rritje domethënëse në numrin e turistëve që po vizitojnë, por në mënyrë që ata ta shijojnë plotësisht dhe të kthehen sërish meritojnë të kenë standarde siç i ka të gjitha Bashkimi Europian, kur bëhet fjalë për shëndetin publik dhe standardet mjedisore”, theksoi Vlahutin.

Duke folur për standardet që kërkon turizmi, Vlahutin shtoi se po flasim për ushqim të sigurt, ujëra të pastra ku lahen, plazhet të pastra, infrastrukturë të mirë dhe e gjitha kjo është thelbësore për cilësinë e ofertës suaj turistike.

“Kjo është arsyeja pse ne si Bashkim Europian po e mbështesim fort Shqipërinë dhe po e ndihmojmë për të arritur standarde. Më shumë se 90 milionë euro janë dedikuar për infrastrukturën e trajtimit të ujërave në Velipojë Shëngjin, Durrës, Golem, Vlorë dhe Ksamil”, tha Vlahutin.

Po ashtu, ambasadorja e BE-së tha se “Bashkimi Europian nuk do të ndalet këtu”. “Ne planifikojmë që të zgjerojmë financimin në Vlorë që do të jetë mbi 50 milionë euro të investuara. Ndërkohë vetëm 15 milionë euro janë investuar në këtë impiant. Jam e lumtur që arritëm të bëjmë një investim të tillë kapital”, tha Vlahutin. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat