“Mashtruesi një milion euro”, ndërtuesit e zbuluan dhe e paditën

Shqipëria

“Mashtruesi një milion euro”, ndërtuesit e zbuluan dhe e paditën

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 15:23
Klodian Ciruna

Pas urdhrit të ndalimit për mashtruesin Klodian Ciruna, agjentët e krimeve kanë tentuar të marrin në pyetje 41-vjeçarin, i cili nuk ka pranuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Por siç thotë një burim pranë krimit ekonomiko-financiar, provat janë bindëse ndaj tij, përderisa tre ndërtues kanë depozituar përveç kallëzimit, edhe komunikimin elektronik me juristin Klodian Ciruna. Kallëzuesit janë biznesmenët Luan Duro, Bujar Hoxha dhe Petraq Koka, të cilëve u janë zhvatur në total një milion euro.

Skema ka qenë e njëjtë, sipas policisë së Tiranës. Ai u premtonte që do t’i ndihmonte që ata të merrnin sa më shpejt lejë ndërtimi, duke u parapaguar. Ai prezantohej tek biznesmenët si jurist i studios avokatore në Milano, Bran Bimo dhe përmes e mail-eve fiktivë të shkruara nga vetë ai, prezantohej tek të mashtruarit si punonjës i kësaj kompanie.

Siç bëhet me dije, njëri nga biznesmenët, i cili i kishte dhënë mbi 250 mijë euro, ka kontaktuar me shoqërinë avokatore në Itali, pasi Klodian Ciruna po i shmangej. Zyra avokatore ka mohuar të kishte një përfaqësues në Shqipëri, dhe menjëherë ka dorëzuar një kallëzim, duke u pasuar më tej edhe nga denoncimet e tjera. Por mashtrimi në fushën e ndërtimeve nuk është përvoja e tij e parë.

Duke tentuar të shkëlqente në fushën e biznesit të “call center”, një vit më parë, juristi i diplomuar në Milano mori një ambient me qira në një rrugicë pranë Myslym Shyrit. Ai jo vetëm që dështoi, por u zhduk pa paguar qiranë.

Policia thotë se ky biznes ishte i regjistruar në QKR prej 41-vjeçarit, ndërkohë që më pas rezulton të jetë mbyllur. Një ndër pesonat që do të pyetet është edhe pronari i objektit të dhënë me qira.

Ndërkohë ndaj tij janë edhe dy denoncime, e para nga Skënder Zela, një biznesmen në fushën e hidrocentraleve, të cilit ai i ka zhvatur 759 mijë euro, si edhe një kallëzim nga një shtetas italian, të cilit i kishte premtuar se do t’i blinte banesë për 34 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat