“Task Forca Antikorrupsion”, Gjonaj: 172 masa disiplinore dhe 28 largime nga detyra

Shqipëria

“Task Forca Antikorrupsion”, Gjonaj: 172 masa disiplinore dhe 28 largime nga detyra

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 13:01
Etilda Gjonaj

Lufta ndaj korrupsionit dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët është kryefjalë e punës së ministrisë së Drejtësisë.

Koordinatorja Kombëtare e Antikorrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një deklarate për mediat bëri të ditur sot se në kuadër të ankesave të bëra nga qytetarët në portalin “shqiperiaqeduam.al” dhe në sajë të Task Forcës Anti-Korrupsion” të ngritur nga qeveria dhe që drejtohet pikërisht nga ministria e Drejtësisë, janë bërë një sërë kontrollesh në 35 institucione, teksa njoftoi se janë ngritur tre padi penale për 6 drejtues të drejtorive rajonale të ALUIZNI-t.

“Gjatë kontrolleve në periudhën Maj-Qershor të vitit 2018 Task Forca Antikorrupsion ka vënë re dhe shkelje të ndryshme, duke shkuar dhe në kufijtë e lejuar ligjor dhe për këtë arsye ka pasur dhe tre depozitime të kallëzimeve penale. Janë kryer kontrolle në 35 institucione shtetërore ku kryhen shërbime ndaj qytetarëve. Për këtë arsye, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët Task Forca ka rekomanduar 172 masa disiplinore, prej të cilave 28 shkarkime nga detyra. Masat disiplinore dhe shkarkimet lidhen kryesisht me drejtori si, “Drejtorit rajonale të Regjistrimit të Pasurisë, ALUIZNI, AKU, etj. Po ashtu, janë depozituar 3 kallëzime penale për gjashtë drejtues. I pari lidhet me për Regjistrues në zyrën e regjistrimit të pasurive në Krujë. Nga kontrolle janë vënë re vonesa të pajustifikuara, si dhe mungesë të transparencës. Është depozituar kallëzim penal për drejtorin e ALUIZNI-t në Sarandë dhe tre drejtorë të tjerë të kësaj agjencie në qytetin bregdetarë, të sektorit të legalizimit, kalimit të pronësisë apo planifikimit urban. Ato dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke legalizuar sipërfaqe publike më të mëdha se ato që janë në realitet. Po ashtu është depozituar kallëzim penal për përgjegjësin e sektorit për sektorin e asistencës ndaj shërbimit të tatim paguesve në drejtorin rajonale Vlorë, ku dyshohet se ka shpërdoruar detyrën”, tha Gjonaj.

Ajo shprehu bindjen se prokuroria do të vijojë hetimet në një kohë të shpejtë. “Jemi në një fazë të thelluar të luftës ndaj korrupsionit dhe inkurajojmë qytetarët të na bashkohen në këtë luftë për të luftuar korrupsionin dhe të rrisim së bashku cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha Gjonaj.

Ministrja garantoi se kontrollet do të vijojnë edhe sipas denoncimeve që do të bëjnë qytetarë dhe se korrupsioni nuk do ketë vend në zyrat e shërbimit ndaj qytetarëve. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat