7.5 mln lekë për restaurimin e kishës, punëtorët vetëm një ditë në punë

Shqipëria

7.5 mln lekë për restaurimin e kishës, punëtorët vetëm një ditë në punë

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 20:39
Kisha e Shën Ristozit

Në katër vite nga buxheti i shtetit janë akorduar 7.5 milionë lekë për restaurimin e Kishës së Ristozit dhe projekti me 3 etapa nuk ka përfunduar akoma.

Në fazën e tretë të punimeve punëtorët janë parë vetëm ditën që ishte ministrja Kumbaro. Pas mbarimit të vizitës së saj, ikën edhe punëtorët.

Kisha e Shën Ristozit është monument kulture i kategorisë së I, sipas Ministrisë së Kulturës ky është monumenti i fundit i datuar i shekullit XIV që njihet në vendin tonë. Mbishkrimi mbi portën perëndimore të Naosit na njeh me kohën e ndërtimit dhe pikturimit të kishës në vitin 1389, me porosinë e peshkop Nimfonit.

Sipas mbishkrimeve që ruhen mbi hyrjet perëndimore dhe jugore pikturimi i saj filloi më 31 mars me mbarimin e ndërtimit dhe përfundoi më 13 nëntor. Por nga studimet e bëra deri më sot mendohet që kjo kishë të jetë ndërtuar në një periudhë më të hershme se kjo datë.

Për shkak të degradimit, ministrja e Kulturës vendosi te bënte restaurimin e saj në vitin 2014. Me fonde të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit është kryer faza e parë e restaurimit. Punimet janë kryer nga shoqëria “E Shkuara për të Ardhmen” me një vlerë totale prej 928.739 lekë pa TVSH.

Edhe në atë kohë, kisha të kategorisë së 1 të lëna në mëshirë të fatit, ku ndër to ishte edhe kisha Ristozit në Mborje të Korçës. Në vitin 2015 janë vënë përsëri fonde në dispozicion nga buxheti i shtetit dhe kanë qenë në vlerën e 3.916.666. Punimet janë kryer sërish nga shoqëria “E Shkuara për të Ardhmen”.

Në vitin 2018 për restaurimi e saj pati një tjetër fond me vlerë 3.333.333 lekë. Në muajin mars ministrja Kumbaro ishte pranë kësaj kishe ku deklaroi dhe fillimet e punimeve për fazën e tretë, por pas largimit të saj punëtori vullnetar i kishës së mbyllur pohon për gazetarët e Fiksit se as punëtorët nuk u panë më për të vazhduar punimet.

Nga pamjet e transmetuara në emision, pjesa e kupolës dhe këmbanës duket të mos jetë prekur fare. Skelat janë akoma të vendosura në muret e kishës dhe pa asnjë tabelë të tregojë rëndësinë e këtij monumenti të kulturës. Por edhe pse ajo qëndron e mbyllur vizitohet shumë nga turistët.

Edhe sot pas 4 vitesh që janë shpenzuar rreth 7.5 milion lekë në tre fazat e restaurimit, kisha nuk ka përfunduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat