Kritikoi ashpër policinë, Rama i përgjigjet “flakë për flakë” ambasadorit Lu

Shqipëria

Kritikoi ashpër policinë, Rama i përgjigjet “flakë për flakë” ambasadorit Lu

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 11:33
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit “Forca e ligjit në veprim: arritje dhe sfida”, mori fjalën pasi ambasadori amerikan Donald Lu “fshikulloi” ashpër policinë dhe prokurorinë. Lu tha se nuk ka pasur aftësi ose vullnet për të arrestuar Balilin, por kreu i qeverisë u përgjigj se “policia shqiptare e ka garantuar që paprekshmëria e individit nuk ekziston më, duan apo nuk duan ta pranojnë shqiptarët apo të huajt”.

“Ka disnivel mes asaj që bën policia dhe asaj që bëjnë gjykatat. Policia është përgjegjëse për paprekshmërinë e individëve, gjykata është përgjegjëse për ndëshkueshmërinë e kujtdoqoftë”, tha Rama.

“Çështja e rendit ligjor dhe e barazisë para ligjit nuk ka vetëm këtë anë të medaljes. Ka aspektin tjetër: ndëshkueshmërinë e çdo personi në proceset gjyqësore pavarësisht statusit shoqëror dhe pasurisë. Në këtë aspekt jemi të vetëdijshëm se shkatërrimi i procesit ligjzbatues në sallat e gjykatave është normë. Janë mbi 100 raste kriminelësh që janë liruar në sallë dhe kanë përsëritur krimet”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se “4 vite më parë shqiptarët ishin të ndarë në të prekshëm dhe të paprekshëm; semaforët ishin të kuq për të zakonshmit dhe jeshilë për të pushtetshmit; deputetët dhe zyrtarët e lartë parkonin mbi çdo trotuar; raporti me ligjin i individëve kalonte përmes përkatësisë së tyre politike; operacionet e Policisë së Shtetit për kokat e krimit tradhtoheshin nga kupola e Ministrisë së Brendshme; të gjitha këto i përkasin të shkuarës dhe besoj që nuk është pak për të parë të nesërmen e sigurtë përmes kësaj retrospektive”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat