Noka: Droga dhe paratë e pista penguan hapjen e negociatave

Shqipëria

Noka: Droga dhe paratë e pista penguan hapjen e negociatave

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 13:56
Flamur Noka

Në një dalje për mediat deputeti i PD-së, Flamur Noka u shpreh se droga dhe pastrimi i parave të pista nga organizatat kriminale me mbështetje qeveritare janë dy nga arsyet kryesore pse Shqipërisë nuk iu hapën negociatat.

Sipas tij nëse vazhdon kjo situata negociatat nuk kanë për t’iu hapur as në 2019-ën.

Deklaratë e deputetit Flamur Noka

Dëshmia e zyrtarëve të policisë italiane në gazetën franceze “Liberation” se në Shqipëri vazhdon të mbillet kanabis me sasi të mëdha është një provë tjetër se Edi Rama mashtron, kur thotë se e ka hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit.

Siç pohon, Nicola Altieri, gjeneral brigade në Bari, atje është bllokuar 10 ton drogë vetëm në katër muajt e parë të këtij viti. 10 tonë drogë që nuk është prodhim nga stoku i vjetër, sepse analizat e policisë italiane kanë treguar se prodhimi i përket muajve të fundit. I përket  kohës, kur nga Edi Rama u shpall fitorja e luftës kundër kanabisit, njësoj siç shpalli tani fitoren për hapjen  e negociatave.

E vërteta është se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës është një nga kushtet që Bashkimi Europian i ka vënë Shqipërisë, në mënyrë që të vendosë për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm.

Në të vërtetë, nuk do të ndodhë asgjë nga ato që presin shqiptarët dhe bashkimit Europian, sepse Edi Rama është përfituesi kryesor i parave nga kultivimi dhe trafikimi i drogës.

Edhe mediat europiane tani po e shprehin hapur se “paratë e drogës janë bërë para të politikës në Shqipëri”.

Rasti i 3.4 milionë eurove të drogës me Toyota Yaris është simboli i përfshirjes së mazhorancës së Edi Ramës në pastrimin e parave të drogës, duke nisur nga dy ministrat e brendshëm tek kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Shqiptarët, por dhe Bashkimi Europian nuk kanë më ansjë dyshim se kjo qeveri e ka lidhur fatin e saj me krimin dhe drogën, duke tradhtuar interesat e vendit. Tani është koha  ta largojmë, për t’I hapur Shqipërisë rrugën europiane. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat