Festimet me shqiponjë, flet ish-ministri i Shqipërisë: Nuk duhet të keqpërdorim politikisht një ndeshje sportive

Shqipëria

Festimet me shqiponjë, flet ish-ministri i Shqipërisë: Nuk duhet të keqpërdorim politikisht një ndeshje sportive

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 14:00
Zvicra

Ish-ministri vitet 90’ Bashkim Kopliku, ka reaguar në lidhje me ndeshjen që u luajt mbrëmë në Rusi, ku Zvicra fitoi me rezultatin 2 me 1 kundër Serbisë.

Kopliku në postimin e tij shkruan se  patriotizmi që u shfaq në gjatë ndeshjes dhe pas saj është që serbët t’i bëjmë miq.

“Por, duke kërkuar falje për momentin kur po bëj këtë postim, patriotizmi im, dashuria ime për Shqipërinë, nuk më lë dot, pa shkruar sa vijon: Nuk duhet të keqpërdorim politikisht një ndeshje sportive, qoftë për të ngacmuar serbët, me të cilët duhet të përpiqemi të gjejmë pika takimi, e jo ndarjeje nga të cilat kemi pa fund”, shkruan ndër të tjera Kopliku.

Deklarata e plotë

Është patriotizëm që Serbët t’i bëjmë miq!

Natyrisht edhe mua më pëlqeu protagonizmi i dy djemve zviceranë që identifikuan veten me kombësinë e tyre shqiptare, duke bërë simbolin shqiptar, shqiponjën. E kam fjalën për ndeshjen e mbrëmshme, Zvicër-Serbi, ku dy golashënuesit ishin dy zviceranë me origjinë kosovare. Po e kapërdij edhe me urimin për vota të bërë nga politika, maxhoranca dhe opozita shqiptare, Rama, Basha etj.

Por, duke kërkuar falje për momentin kur po bëj këtë postim, patriotizmi im, dashuria ime për Shqipërinë, nuk më lë dot, pa shkruar sa vijon:

Nuk duhet të keqpërdorim politikisht një ndeshje sportive, qoftë për të ngacmuar serbët, me të cilët duhet të përpiqemi të gjejmë pika takimi, e jo ndarjeje nga të cilat kemi pa fund.

Të marrim shembullin e Francës me Gjermaninë, apo Japonisë e ShBA etj., që janë vrarë e coptuar me njëri-tjetrin për shekuj, dhe tani janë kthyer në miq.

Pra, ta mbajmë veten në gëzimin për lojën e bukur të dy bashkëkombësve tanë dhe me kaq mjafton. Të mos e teprojmë duke i hedhur benzinë zjarrit serbo-kosovar i cili duhet shuar, siç e thotë patriotizmi i vërtetë, siç po na kërkojnë miqtë tanë të mëdhenj: BE dhe ShBA.

Bashkim Kopliku

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat