Kampet e refugjatëve, Këshilli Evropian: Nuk ka plane për Shqipërinë

Shqipëria

Kampet e refugjatëve, Këshilli Evropian: Nuk ka plane për Shqipërinë

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 12:16
Ilustrim

Këshilli Evropian mohon të ketë plane konkrete për ngritjen e qendrave të azilit në Shqipëri. Përgjigja e tij ndaj pyetjeve të rrjetit investigativ BIRN ishte se rajonet që do t’i shërbejnë këtij synimi nuk janë identifikuar ende dhe se aktualisht, po diskutohet thjesht mundësia e eksplorimit të këtij koncepti.

Këshilli mblidhet në 28 qershor për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë rekomandimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por duket se kriza e emigrantëve ka për të qenë subjekt kryesor i këtij takimi. Çështja ka marrë tone urgjente pas përplasjes së kancelares gjermane Angela Merkel mbi këtë temë më ministrin e saj të brendshëm, Horst Seehofer, i cili këmbëngul që emigrantët të kthehen mbrapsht në kufi.

Situatë është rënduar deri në pikën që tashmë prej saj kërcënohet vetë koalicioni qeverisës i Merkelit. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe kancelari austriak Sebastian Kurz ishin të parët që hodhen idenë e krijimit të qendrave të azilkërkuesve jashtë BE-së.

Zëdhënësi i qeverisë në Vjenë, Peter Launsky-Tieffenthal konfirmoi për DW-në, se ndërkohë ka bisedime për krijimin e një qendre të tillë ndër të tjera edhe me Shqipërinë. Arsyeja pse është menduar Shqipëria gjendet tek fakti që porti i Durresit konsiderohet se zotëron kapacitete të mjaftueshme për zbarkimin e kontigjenteve të mëdha të refugjatëve.

Nga anijet që eskortohen prej Frontex-it refugjatët mund të vendosen në token shqiptare për t’u regjistruar. Paskëtaj ata që nuk konfirmohen se kanë vërtetë arsye për azil mund t’i kthejnë direkt në vendet nga kanë ardhur. Ndërsa ata që kanë nevojë për mbrojtje dhe potencialisht kanë të drejtë azili mund të shpërndahen në vendet e BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat