Gramoz Ruçi i shkruan Ismail Kadaresë, ja letra që i nis shkrimtarit të madh

Shqipëria

Gramoz Ruçi i shkruan Ismail Kadaresë, ja letra që i nis shkrimtarit të madh

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 10:27
Ismail Kadare

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër shkrimtarit të madh Ismail Kadare, pak ditë pasi ai mori çmimin e Karrierës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitin 2017.

Në letrën e dërguar për të madhin Kadare, Ruçi vlerëson shkrimtarin për rolin dhe kontributin e madh, jo vetëm në historinë e letrave shqipe.

LETRA E PLOTË

Ismail Kadare

Tiranë

Shumë i nderuari zoti Kadare,

Përjetova me gëzim të veçantë shpalljen Tuaj si fituesi i Çmimit të Karierrës të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitin 2017.

Ky Çmim i shtohet gjerdanit të vlerësimeve e çmimeve për veprën Tuaj letrare dhe kontributin intelektual në Shqipëri, Europë dhe në globin mbarë.

Rrallë herë ndodh në kohën e sotme që krijimtaria e famshme letrare e njohur botërisht, kontributi intelektual plot finesë, vepra e thellë studimore e akademike, identiteti dhe vizioni europian, simbolet e vlerat kombëtare, dhe dedikimi shoqëror e qytetar të bashkohen në një individ të vetëm, si në rastin Tuaj. Ju jeni ngjitur në Olimpin e letrave dhe të shkencës dhe prej andej ndriçoni historinë, të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Letërsia, kultura dhe qytetërimi shqiptar janë sot të njohur sepse në to është skalitur emri Ismail Kadare.

Ju jeni ndër margaritarët e kombit dhe na bëni të ndihemi të gjithë krenar si bashkëkombësit, bashkëkohësit dhe lexuesit Tuaj.

Po Ju shkruaj me mirënjohje të pafund këtë letër si një ndër lexuesit dhe adhuruesit e panumërt të Veprës Tuaj.

Me respekt të thellë,

Gramoz Ruçi

Tiranë, 19 qershor 2018

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat