Rënia dhe shkëlqimi i biçikletës

Shqipëria

Rënia dhe shkëlqimi i biçikletës

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 08:22
Ilustrim

“Jeta është si një biçikletë për të mbajtur ekulibirin, duhet të vazhdosh të ecësh”, kështu shprehej shkencëtari Albert Einstain dekada më parë.

Sot në një botë që kërcënohet çdo ditë nga ajri i ndotur, udhëtimi me të po kthehet jo vetëm në një trend por edhe domosdoshmëri për të mbajtur ekulibrat e natyrës dhe shëndetit. 

Udhëtimi mbi dy rrota është mënyra më e mirë për të evituar trafikun e rënduar por shpesh edhe forma më e thjeshtë dhe fleksibël për të eksploruar një vend të ri. 

Në vendet në zhvillim, ku distanca shpesh bëhet pengesë biçikletat, mund të lidhin më lehtë studentët me shkollat por dhe sipërmarrësit me tregjet. 

Mbi të gjitha janë mjekët që këshillojnë përdorimin e biçikletave. 

Përdorimi i këtij mjeti, zvogëlon rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës, infarkteve dhe diabetin e tipit dy, ul prevalencën e obezitetit, ruan dhe rrit forcën, përkulshmërinë, rezistencën dhe densitetin e kockave. 

Gjithashtu, përmirëson shëndetin mendor dhe humorin, lehtëson simptomat e depresionit, si stresin apo dhe ankth dhe ndihmon për të qenë më të fortë fizikisht, si dhe krijon një imazh vetjak pozitiv sidomos te gratë. Biçikleta këshillohet për tu përdorur dhe nga fëmijët, duke i bërë edhe më social. 

Referuar statistikave janë më shumë se 2 miliardë biçikleta në mbarë botën. Deri në vitin 2050, ky numër mund të shkojë deri në pesë miliardë. Po ashtu rezulton se mbi 50% e njerëzve dinë të ngasin një biçikletë. 

Hollanda është shteti që mban rekordin për numrin më të lartë të biçikletave për frymë. Ndërsa kryeqyteti danez, Kopenhagen, konsiderohet si qyteti më i përshtatshëm në botë për të lëvizur me to. Madje është e njohur ndryshe si "Qyteti i Çiklistëve", ku 52 përqind e popullsisë i përdor për udhëtimin e përditshëm. 

Por po ashtu pavarësisht topografisë apo klimës është edhe një biznes i mirë. Në Kopenhagen, ata që përdorin biçikletat kontribuojne me 261 milionë dollarë në vit në kursimet e shëndetit publik, të mjaftueshme për të paguar koston e infrastrukturës për të qarkulluar me të në më pak se pesë vjet. 

Një tjetër faktor që favorizon përdorimin e tyre është dhe fakti se mund t`i sigurosh me një çmim të përballueshëm për xhepat dhe pa kosto të tjera shtesë. 

Për të kuptuar ndryshimet që ka pësuar ky mjet do të duhet të kthehemi të paktën dy shekuj mbrapa në kohë dhe të shtrojmë pyetjen: “Kush e shpiku në të vërtetë biçikletën e parë”? 

Epo, është e vështirë të thuhet, sepse ajo kaloi një sërë ndryshimesh dhe të shumë ishin ata që përmirësuan variantin fillestar. 

“Dandy horse” ishte mjeti i parë i transportit në të cilin u përdor parimi i dy rrotave. Ajo u krijua nga baroni gjerman Karl von Drais në vitin 1817. 

Mjeti i parë mekanik me dy rrota mund të jetë ndërtuar disa vite më vonë nga Kirkpatrick MacMillan, një farkëtar skocez, në 1839. 

Fillimet e viteve 60 do të sillinin një model tjetër. Francezët Pierre Michaux dhe Pierre Lallement sollën një dizanj të ri me katër rrota ndërsa struktura ishte në ndërthurje e drurit me hekurin. Në atë kohë ky mjet quhej “Velocipede”. 

Shatatë vite më vonë bota do të njihej me modelin “boneshaker”, me pedale në rrotën e përparëme dhe një ulëse shumë pranë timonit. 

Por vitet 1878 do të sillnin biçikletën më të çuditshme që kemi hasur, ku ra parimi i dy rrotave të së njëtës madhësi dhe marrja e drejtimit të saj nuk ishte aq i lehtë. 

Simotra e biçikletës së sotme moderne do të ishte ajo e vitit 1885, e pajisur me frena, me një ulëse mbi rrotën e pasme dhe pedale në mes. 

Ky model që me kalimin e viteve u përsos u pa të përdorej rrugëve te mbarë botës duke shkurtuar distanca e duke u ardhur në ndihmë njerëzve. 

Shqipëria nuk mbeti pas në përqafimin e këtij mjeti transporti që dekada më parë shihej si një zgjidhje ekonomike për të përshkuar disa kilometra e për t’ju dhënë zgjidhje punëve të ditës. 

Ndonse konsiderohej si nje mjet i përshtatshëm për meshkujt, Shkodra vërtetoi krejt të kundërtën, ku gra e vajza, fëmijë e të rritur “pushtuan” rrugët me biçikleta. 

Me largimin e dikaturës u largua edhe dëshira e shqipëtarëve për t`i përdorur. shumë shpejt makinat pushtuan rrugët. 

Por ajri i ndotur, jeta sedentare dhe sëmundjet që shkaktohen prej saj, shtimi i numrit të popullsisë dhe minimizimi i hapësirave publike, ka rizgjuar te shqiptarët dashurinë për to. 

Në kryeqytet, numri i atyre që përdorin biçikletën është rritur ndjeshëm, po ashtu janë shtuar edhe korsitë dedikuar këtij mjeti. 

Shiu i dimrit apo i nxehti i verës nuk kanë mundur ta shkëpusin Albionën nga biçikleta e saj që e përdor prej disa vitesh. 

Teksa përshkon rrugën që e çon në punë duhet të jetë vigjilinte dhe e kujdeshme ndaj ndërhyrjet e automjeteve dhe kalimtarëve që shpesh nuk kursejnë as korsite e dedikuara për çiklistët. 

Nuk kanë munguar as rastet ku pakujdesia e të tjerëve ka shkaktuar aksidente, nga të cilat ka përfunduar me lëndime të lehta. 

Dashurinë për biçikletën Albionës ia ka rrënjosur “Ecovolis” shoqatë në të cilën është aktiviste, si e tillë ajo apelon për përdorimin nga të rinjtë dhe jo vetëm.


Benefitet e përdorimit nuk i kanë kuptuar vetëm çiklistët por edhe ata që drejtojnë qytetet duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për t`u dhënë më shumë akses dhe njëkohësisht siguri atyre që nuk e ndajnë këtë mjet gjatë përditshmërisë së tyre. 

Tirana ka hedhur hapin e parë duke sjellë mobike si risinë e rradhës, madje duke vendosur edhe kryebashkiak për biçikletat. Këto mjete pa stacion janë një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet. 

Po si funksionon një mjet i tillë? 

Për t`i përdorur fillimisht duhet të shkarkoni aplikacionin “Mobike” në celularin tuaj. Pas regjistrimit të të dhënave, në telefon do të shfaqet harta e qytetit ku mund të zgjidhni biçikletën më të afërt.

Pasi të keni mbërritur te bicikleta, sigurohuni që të keni lekë në telefon. Skanimi i barcode është hapi i rradhës dhe nga ky moment mund ta përdorni mobike në qytetin e Tiranës. 

Pasi të përfundoni udhëtimin tuaj, mjafton ta mbyllni sërish atë me kyçin që ndodhet në rrotën e pasme dhe parkojeni në një vend të sigurt, që nuk pengon lëvizjen. 

Kushton 40 lekë për 20 minuta. Por mund të paguhet dhe aboneja që kushton 990 leke në muaj. 

Por çfarë do të sjellë mobike për Tiranën? 

Biçikletat e reja, nuk i kanë shpëtuar vandalizmit, vetëm pak ditë nga hedhja e tyre në qarkullim, në rrjetet sociale u publikuan video ku disa të rinj i përplasnin ato në mure duke i demtuar. 

Nisur nga këto raste, Kryebashkiaku për biçikletat Ened Mato, propozon masa ndëshkuese. 

Por nisma për të sjellë mobike në Shqipëri nuk mund të mos ecte paralelisht edhe me shtimin e korsive të dedikuara për biçikletat. Më të rejat janë ato në zonën e ish-bllokut, por Bashkia Tiranë ka të tjera ambicie. 

Mato kërkon ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve që të respektojnë hapësirat e çiklistëve, ndërsa ndaj atyre që përdorin mobike, ai apelon që të mos i mbajnë në ambiente private dhe të mos i dëmtojnë. 

Për të menaxhuar atë Bashkia e quan “revolucionin portokalli” janë angazhuar 12 persona të cilët monitorojnë mobike. 

Drejtori, Dini Bega, thotë se vetëm në dy javët e para mobike janë përdorur nga rreth 30 mijë persona. 

Aktualisht në rrugët e kryeqytetit ndodhen të shpërndara rreth 500 biçikleta, ndërsa qindra të tjera janë ende në pritje për t`u përdror, në total flota do të përbëhet nga 4 mijë mjete. 

Tirana është i pari shtet në Ballkan që ka sjellë sistemin e biçikletave pa stacion.

Në mbarë botën janë afro 900 mijë mobike, ku vendin e parë padyshim e kryeson Kina më shumë se 400 mijë bike share, ndërsa Franca renditet e dyta me afro 50 mijë bikeshare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat