62% e shqiptarëve nuk mund të përballojnë dot veshje të reja, më e larta në Europë

Shqipëria

62% e shqiptarëve nuk mund të përballojnë dot veshje të reja, më e larta në Europë

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

Tingëllon e çuditshme, por pjesa më e madhe e familjeve shqiptare nuk arrijnë që të përballojnë blerjen e veshjeve të reja.

Pyetjes nëse anëtarët e familjes mund të përballojnë të blejnë rroba të reja në vend të të përdorurave, 62% e shqiptareve në Anketën e Cilësisë së Jetës, të realizuar nga Komisioni Europian, janë përgjigjur se nuk munden. Kjo përqindje është dukshëm më e larta në Europë, ku në renditje pas nesh është Maqedonia, me 42% të totalit, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën pyetje është 15%.

Anketa e Cilësisë së Jetës, që është kryer me vendet e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor ka matur këto tregues duke iu referuar tre variablave, si gjinia, mosha dhe niveli i të ardhurave.

Sa torturuese mund të jetë për një grua që të mos ketë mundësi që blejë një veshje të re. Në anketën e Cilësisë së Jetës 2016, në klasifikimin sipas gjinisë, 66% e grave në Shqipëria janë përgjigjur se nuk mund të blejnë dot një veshje të re.  Përqindja është shumë më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Pas grave shqiptare, renditen ato maqedonas, ku 43% e tyre janë përgjigjur se nuk mund të blejnë dot veshje të reja.

E njëjta situatë është edhe për burrat, edhe pse në përqindje më të ulët, ku 59% e të anketuarve thanë se nuk mund të përballojnë dot një veshje të re.

Për sa  i përket klasifikimit sipas moshës, të rinjtë janë ata që janë përgjigjur se mund të përballojnë që të blejnë rroba të reja.  Për grupmoshën 18-24 vjeç, 39% e të anketuarve janë shprehur se nuk mund të përballojnë që të blejnë rroba të reja. Grupmosha me përqindjen më të lartë është 35-49 vjeç, ku sipas rezultateve të anketës rezulton se 73% e tyre nuk mund të përballojnë. Kjo përqindje është më e larta në Europë. Vendi i dytë që raporton përqindje të lartë për mospërballimin të veshjeve të reja është Maqedonia. Megjithatë krahasuar për të njëjtën grupmoshë diferenca është shumë e madhe. Vetëm 40% (më pak se gjysma) janë shprehur se nuk mund të përballojnë dot veshje të reja.

Edhe për moshat mbi 50 vjeç,  pamundësia për t’u veshur me veshje të reja është e lartë. Rreth 68% e të pyeturve thanë se nuk mund të blejnë rroba të reja (jo të përdorura). Megjithatë në ndryshim me grupmoshat më të reja. Për këtë grupmoshë ulet diferenca midis vendeve të Europës Lindore, si Rumania, apo Bullgaria.

Në klasifikimin e tretë, ku ndarja bëhet sipas nivelit të të ardhurave, përqindjen më të lartë të individëve që kanë thënë se nuk mund blejnë dot rroba të reja e ka grupi i parë (të ardhurat më të ulëta). 85% e tyre janë shprehur se nuk mund të blejnë dot rroba përveç se të përdorurat. Për individët me të ardhura të ulët, përqindja është e lartë edhe në Bullgari, ku 74% thanë se nuk e përballojnë dot që blejnë rroba të reja.

Tek individët që grupohen në nivelin e dytë të të ardhurave, 72% nuk mund të blejnë, pasur nga Rumania me 65%. Ata që klasifikohen në grupin e tretë, më shumë se gjysma (53%) janë shprehur se nuk blejnë dot rroba të reja.

Edhe për të pasurit (që janë pjesë e grupit të katërt) përqindja edhe pse më e ulët se për dy grupet e tjera, është më e larta në të gjithë Europën.

Pse kaq e vështirë për t’u vesh-mbathur në Shqipëri? [?]

Duket se arsyeja kryesore për përqindjen aq të lartë në mo përballimin e blerjeve të rrobave të reja janë çmimet shumë të shtrenjta.  Eurostat publikoi indeksin e nivelit të çmimeve. Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e veshjeve në Shqipëri janë sa 97% e mesatares europiane për këtë kategori (thuajse në të njëjtin nivel me Bashkimin Europian). Ndërkohë që po sipas të dhënave të Eurostat, niveli i të ardhurave për frymë në Shqipëri është sa 29% e mesatares europiane (më të ulëtat në rajon).

…kështu që lulëzon “gabi”

Me të ardhura të ulëta dhe me çmime të shtrenjta për rrobat e reja, biznesi i “gabit” ka lulëzuar në Shqipëri. Në 2017-n referuar të dhënave të INSTAT importi i veshjeve të përdorura arriti në 24 milionë euro, me një rritje me bazë vjetore prej 11%. Që prej vitit 2012, importet e veshjeve të përdorura janë rritur me ritme dy shifrore. Kjo është e dukshme dhe në numrin e lartë të dyqaneve që janë hapur në kryeqytet, që u shtuan dhe më shumë pas mbylljes së tregjeve masive. Tirana, si asnjë kryeqytet tjetër në Europë, ofron alternativa pa fund të varianteve moderne të “Gabit”, sidomos në lagjet rrotull qendrës.

Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat