Ahmetaj: Prioritet i buxhetit në tre vitet, rritja e mirëqenies

Shqipëria

Ahmetaj: Prioritet i buxhetit në tre vitet, rritja e mirëqenies

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 08:13
Arben Ahmetaj

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje në tryezën e konsultimit për programin buxhetor afatmesëm 2019-2021, tha se buxheti i vitit të ardhshëm do të ketë në qendër qytetarin.  Ministri i Financave u shpreh se buxhetet e viteve të ardhshme do të mbështesin arsimin profesional, sipërmarrjen, infrastrukturën rrugore, shëndetësinë dhe shtresat vunerabël.

“Buxheti për tre vitet e ardhshme ka në qendër qytetarin, rritjen e mirëqenies, rritjen ekonomike, rritjen e aksesit dhe të cilësisë së jetës, nga kryeqyteti deri në skajet më të largëta të vendit”, u shpreh Ahmetaj. Kreu i Financave u ndal edhe te shifrat e ekonomisë, rritjes së punësimit dhe eksporteve.

Ministri Ahmetaj tha se eksportet shqiptare nuk janë dëmtuar nga zhvlerësimi i euros, pasi rritja e volumit të tyre rikuperoi goditjet. “Rritja e ekonomisë vlerësohet të jetë në nivelin 4-4.2 për qind në vitin 2018 dhe ndërkohë që parashikohet të kalojë këtë vlerë në periudhën afatmesme 2019-2021, e përputhur dhe me objektivin e qeverisë në një mesatare katërvjeçare prej 4.5 për qind rritje ekonomike. Eksportet e majit janë gati 24 për qind më të larta se maji i vitit të kaluar dhe rritja e eksporteve është 12.4 për qind. Na bën të gëzohemi, na bën të mendohemi, na bën edhe të analizojmë. Po ju hedh në tryezë edhe një konsekuencë të një debati shumë interesant, që kishte dhe ka të bëjë me kursin e këmbimit, që ka dëmtuar eksportet. Rritja e eksporteve në volume dhe në zgjerim tregjesh tregon dy elemente: pikë së pari, volumet kanë rikuperuar goditjen që mund t’i ketë dhënë kursi i këmbimit dhe që patjetër i ka dhënë; së dyti, po të shikojmë përtej shifrave, ka një konsekuencë-konkluzion shumë të thjeshtë: ekonomia shqiptare dhe eksportet shqiptare janë bërë më konkurruese, që do të thotë se, besoj dhe analiza do ta tregojë dhe në muajt apo në vitin që vjen, që është rritur produktiviteti”, u shpreh ai.

Ahmetaj foli edhe për paketën fiskale të qershorit dhe uljen e taksave për sipërmarrjen, si tatimfitim në 5 për qind dhe rritjen e pragut të xhiros nga 8 milionë lekë në 14 milionë lekë, TVSH-ja në 6 për qind për strukturat akomoduese të agroturizmit. Ministri u shpreh se edhe në vitet e ardhshme paketa fiskale do të ofrojë lehtësi për biznesin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat