Debat për kampet e refugjatëve. Noka: Nën thundrën e ISIS-it; PS: Mos përhapni panik

Shqipëria

Debat për kampet e refugjatëve. Noka: Nën thundrën e ISIS-it; PS: Mos përhapni panik

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 15:00
Foto nga takimi

Një deklaratë e zv/ministrit të Brendshëm, Julian Hodaj, për televizionin gjerman ZDF, në lidhje me kapacitetet e Shqipërisë për të pritur emigrantët, u kthye në temë debati në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku opozita akuzoi qeverinë se do të sjellë në Shqipëri 600 mijë refugjatë sirianë.

“Shqipëria do të kthehet në një vend ku do të mblidhen terroristë pikë së pari. Është trafik qeniesh njerëzore që po përgatit Edi Rama. Do të kesh mall që të shohësh shumicë shqiptare. Shumica do të jenë pakistanezë, irakianë, iranianë dhe sirianë. Shqiptarët do të kthehen në pakicë. Nuk do të ketë vend më për shqiptarët”, tha deputeti demokrat Flamur Noka.

Ndërsa socialistja Elona Gjebrea deklaroi: “Në mënyrë absolute nuk duhet të krijojmë panik për situata që nuk ekzistojnë dhe për situata për të cilat Këshilli i Ministrave është shprehur qartë. Bëhet fjalë që të përgatitemi për kapacitetet që kemi. Nuk do të presim 600 mijë”.

Mohimi i deputetëve të mazhorancës nuk ndali akuzat e demokratëve. Klevis Balliu tha: “Po largohen 500 mijë shqiptarë dhe po vijnë 600 mijë sirianë. Po zëvendësohet populli i Skënderbeut me popullin e Sulltan Mehmetit”.

Vullnet Sinaj u përgjigj: “Sa shpejt e harruam Shqipërinë pas viteve ‘90, kampet që na hapi Italia”.

Pas këtij debati reagoi Ministria e Brendshme, e cila sqaroi se ndërtimi i kampeve për emigrantë nuk është çështje në shqyrtim apo diskutim, pasi askush nuk e ka kërkuar apo ofruar një gjë të tillë. Sipas Ministrisë së Brendshme, zv/ministri Hodaj i është përgjigjur pyetjes së ZDF-së mbi një situatë hipotetike se çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence emigrantësh? Përgjigjia e Zv/ministrit Hodaj, thekson sqarimi, ka qenë se “Shqipëria e ka treguar jgatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat