"Agron Xhafaj bariste i lirë në Vlorë dhe para ministrive"

Shqipëria

"Agron Xhafaj bariste i lirë në Vlorë dhe para ministrive"

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 08:38
Komisioni i Ligjeve

Opozita ka vazhduar dje strategjinë e bllokimit të komisioneve parlamentare, duke mos lejuar raportimin e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e ftuar për të paraqitur për rekomandimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Enkelejd Alibeaj, tha dje se ministrja e Drejtësisë nuk ka përmendur në asnjë pasazh të raportit çështjen e Saimir Tahirit, akuzat ndaj Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij apo ekstradimin e Nezar Seitit

“Jemi jo më larg se sa një javë nga një moment historik, e kemi përmendur sa herë këtë muaj. Është një moment historik, ku Europa do të japë vlerësim për shqiptarët për çeljen e negociatave dhe kjo notë vlerësimi ka të bëjë mbi të gjitha me luftën ndaj kriminalitetit. E kuptoj frikën që keni për të raportuar me shkrim edhe nga institucionet më të larta, sepse të paktën dhe nga funksionari që ka ardhur sot është bërë e ditur edhe në media se për çdo gjë mund të flas, por s’mund të flas për çështjen e Saimir Tahirit, por jo për atë të Fatmir Xhafajt dhe Agron Xhafajt.

Pse ka ardhur sot të flasë, kur nuk pranon të flasë për këto çështje? Për koleksionin pranverë- verë të miu-miu do flasim sot?”, ka thënë Alibeaj.

Por në disa herë Ulsi Manja i ka kërkuar Alibeajt që të lejojë ministren Gjonaj të flasë për raportin.

“Ai do të flasë deri sa të fillojë ndeshja e drekës. Keni hall të shtyni kohën dhe të dilni që këtu e të shikoni sport. Për ju Shqipëria është Kampionat Botëror”, ironizoi deputet i PS-së.
Por Alibeaj ka vijuar me ironitë, duke thënë se Agron Xhafaj ishte i lirë dhe asnjë institucion nuk veproi. 

“Si ka mundësi që Agron Xhafaj bariste i lirë në Vlorë, në Shqipëri, madje dhe para Ministrisë së Drejtësisë, i dënuar 7 vite e dy muaj dhe zero reagim, kjo në emër të luftës ndaj kriminalitetit”, ka thënë demokrati. Por pas disa tentativash, Ulsi Manja ka shtyrë mbledhjen, duke i kërkuar ministres Gjonaj që të paraqiste një raport të shkruar për kërkesat e demokratëve.

DEBATI NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Enkelejd Alibeaj: E kuptoj frikën që keni për të raportuar me shkrim edhe nga institucionet më të larta, sepse të paktën dhe nga funksionari që ka ardhur sot, është bërë e ditur edhe në media se për çdo gjë mund të flas, por s’mund të flas për çështjen e Saimir Tahirit, por jo për atë të Fatmir Xhafajt dhe Agron Xhafajt. Apo nuk mund të flas për çështjen e Nezar Seitit për ca arsye të tjera. Pse ka ardhur sot të flasë, kur nuk pranon të flasë për këto çështje? Për koleksionin pranverë-verë të miumiu do flasim sot?

Klotilda Ferhati: Pse paragjykon!

Enkelejd Alibeaj: Sot, Republika jonë, që për 7 ditë kërkon t’i çelen negociatat, është një Republikë që i ka rënë njëra këmbë e pushtetit, sistemi i drejtësisë. Kjo do duhet të jetë një nga meraket e mëdha që duhet të ketë Ministria e Drejtësisë. Sot, Republika e Shqipërisë është pa Gjykatë Kushtetuese.

Ulsi Manja: E morët fjalën për procedurë dhe po flisni akoma. Lejoni të flasë ministrja e Drejtësisë, në të kundër mbyllim mbledhjen…

Enkelejd Alibeaj: Jo, mbledhjen nuk do e mbyllni, se po flasim për gjëra që u interesojnë qytetarëve. Frikë nga fjala s’duhet të keni..

Ulsi Manja: Po çfarë frike mo. Fol sa të duash.

Enkelejd Alibeaj: Maxhoranca ka punën, kurse opozita ka fjalën. Meraku kryesor që duhet të ketë Ministria e Drejtësisë është fakti se kjo Republikë prezantohet në Europë pa Gjykatë Kushtetuese. E bashkë me të edhe pa Kushtetutë, edhe pa garancitë kryesore që u ofrohen individëve, drejtësia sot është bërë malli më i rëndë.

Ulsi Manja: Kush është propozimi për procedurë, se s’kam kohë me humb gjithë ditën me ty ore. E kam sinqerisht. Ka ardhur ministrja e Drejtësisë për të raportuar para deputetëve dhe opinionit publik.

Enkelejd Alibeaj: Kush je ti që s’humbet kohë me mua? Në qoftë se s’ke kohë, ja ku e ke derën, udhë e mbarë të qoftë.

Ulsi Manja: Ka ardhur ministrja të sqarojë opinionin publik për vitin 2017. Cili është propozimi konkret?!

Enkelejd Alibeaj: Do presësh për propozimin se do bëj parashtrimin.

Ulsi Manja: Fjalën për procedurë e ke 2 minuta? E kam shumë të lehtë unë.

Enkelejd Alibeaj: Të ikësh, t’ia mbathësh?! Nuk qeveriset vendi duke ia mbathur.

Ulsi Manja: Po çfarë t’ia mbathim, se nuk ikim prej jush ne.

Enkelejd Alibeaj: Prokuroria sot drejtohet nga një njeri i emëruar në mënyrë politike, qartësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe pa veting, kapje e qartë e Drejtësisë. Ku e ke sot Saimir Tahirin? Me prokurorinë e re? E ke jashtë. Ku e ke sot Fatmir Xhafën? E ke jashtë. Vazhdon të pretendojë se do luftojë kriminalitetin, ndërkohë i vëllai vet eglendis..

Ulsi Manja: Dy minuta është në rregullore fjala për procedurë. Ti lexon rregulloren e Saliut, nuk është faji im.

Oerd Bylykbashi: Sa herë që përmend Fatmir Xhafën, do me i heq fjalën.
Ulsi Manja: Ai do të flasë deri sa të fillojë ndeshja e drekës. Ju e keni hallin te ndeshja. Keni hall të shtyni kohën dhe të dilni që këtu e të shikoni sport. Për ju Shqipëria është Kampionat Botëror.

Enkelejd Alibeaj: Nuk je ti pronari këtu. Janë qytetarët shqiptar. Të vjen zor e të vjen hidhur, kjo është puna jote. Si ka mundësi që Agron Xhafaj bariste i lirë në Vlorë, në Shqipëri, madje dhe para Ministrisë së Drejtësisë, i dënuar 7 vite e dy muaj dhe zero reagim, kjo në emër të luftës ndaj kriminalitetit. Kjo do duhet të raportohet me seriozitet. Ju mund ta keni marrë si shfaqje këtë historinë e pelegrinazhit që dilni andej-këndej.
Ulsi Manja: Ç’punë keni me pelegrinazhin tonë ju. Dilni ore, s’ju mban kush. Mos rrini sa te selia e PD-së, sa këtu.

Bardh Spahia: Po lini administratën pa punë o Ulsi, se i latë nëpër mitingje.
Enkelejd Alibeaj: Mblidhuni me Fatmirin, me Saimirin me Agronin, me Nezarin, kjo është shoqëria juaj.

Ulsi Manja: Cili është propozimi juaj?

Oerd Bylykbashi: Fatmir Xhafaj të japë dorëheqjen Ulsi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat