Bushati sqaron pozicionin e shteteve për hapjen e negociatave

Shqipëria

Bushati sqaron pozicionin e shteteve për hapjen e negociatave

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 23:06
Ditmir Bushati

Ndërsa Shqipëria pret hapjen e negociatave me BE-në, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shpjeguar situatën aktuale, pozicionimin e shteteve, por edhe proceset reformuese brenda vetë unionit.

I ftuar në një nga emisionet e mbrëmjes, ministri ka thënë se është shpresëplotë që vendet anëtare do të pranojnë propozimin e Komisionit Europian.

“Besojmë se vendet anëtare do t’i hapin një dritare Shqipërisë për të nisur bisedimet për anëtarësim, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se bisedimet do të nisin të nesërmen. Kam parasysh praktikën që është ndjekur me Malin e Zi dhe Serbinë, duke qenë se janë dy vendet e fundit që kanë kaluar pak a shumë në po të njëjtat shtigje, që nga momenti që u mor vendimi u deshën edhe 6 muaj për të nisur bisedimet, por besoj se vendet anëtare do të konfirmojnë logjikën e propozuar nga ana e Komisionit Europian”.

Bushati vuri në dukje reformat e ndërmarra nga ana e qeverisë shqiptare, ndërsa theksoi se kjo nuk do të thotë që vendi ynë është gati për anëtarësimin. Sipas tij, krahas reformave, vendi ynë ka sfida dhe defekte që do të duhet t’i riparojë.

“Sot për sot, vendet që e shohin procesin e zgjerimit me tone skeptike apo kritike, nuk është se kanë diçka specifike për Shqipërinë apo Maqedoninë. Përgjithësisht, janë vende që kërkojnë një reformë të thellë të brendshme në mënyrë se si funksion Bashkimi Europian. Ka vende që po përballojnë koston e një Europe apo bashkimi europian që ka nevojë dramatike për reformimin”, – tha ai.

Por, cilat janë arsyet pse disa shtete janë skeptike lidhur me strategjinë e zgjerimit?

Ministri gjatë intervistës ka dhënë disa arsye, ndërsa ka theksuar dallimet mes kulturës së Europës Veriore dhe asaj Jugore. Po kështu, Bushati ka thënë se qëndrojnë edhe dallimet ekonomike mes këtyre të dyjave.

“Europa është e përbërë nga 28 vende, por hendeku mes Jugut dhe Veriu të Europës ekziston dhe nuk ka ardhur duke u ngushtuar dhe ky është një hendek që e ka origjinën tek ekonomia. Ka edhe një hendek tjetër, mes Perëndimit dhe Lindjes, i cili ka të bëjë me vlerat që duhet të promovojë Europa, që u shfaq shumë gjatë krizës së refugjatëve. Kjo është edhe arsyeja pse vende të caktuara të BE-së e shohin me shumë skepticizëm vijimin e procesit të zgjerimit. Deri këtu është e mirëkuptueshme, ndonëse mund të mos më pëlqejë fare. Ajo që është e patolerueshme është tendenca që vihet re, në një vend tek-tuk, jo në nivel qeveritar, por kryesisht në nivel partiak dhe parlamentar, për ta lidhur shqiptarin me krimin, me korrupsionin dhe paligjshmërinë. Dhe kjo është një situatë që shpresoj shumë që duhet të na bëjë të gjithë bashkë politikanët për t’i thënë stop. Nëse i referohemi raporteve të ndryshme në Europë mbi krimin, nuk është se shqiptarët renditen të parët, por politika në Shqipëri e trumbeton me të madhe një gjë të tillë”.

Lidhur me parashikimet e tij si ministër i Jashtëm për hapjen ose jo të negociatave, Bushati tha se është vështirë të kesh një parashikim të saktë, ndërsa shprehu optimizmin e tij lidhur me këtë çështje.

“Është vështirë për të bërë një parashikim preçiz. Jemi në momentet e fundit të institucioneve europiane, pasi në maj të 2019 do të shkohet në zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe do të rinovohen të gjitha institucionet. Prandaj është shumë e rëndësishme që në rrethanë të fundit, procedura e aderimit të fillojë me këtë komision dhe me këto institucione, pavarësisht në rast se do fillojë në qershor, vjeshtë, dhjetor apo në një moment tjetër. Kjo rrethanë nuk e favorizon as kërkesën tonë, as kërkesën e Maqedonisë”.

Bushati tha kjo nuk ka të bëjë me një qeveri apo ekip të caktuar qeverisës dhe në këtë moment shpresoj shumë që do të triumfojë arsyeja tek vendet anëtare për t’i dhënë rrugë nisjes së procedurave të anëtarësimit.

“Procedura e anëtarësimit nga ana tjetër do të jenë të gjata. Në kushtet që Shqipërisë i është dashur 9 vjet për të ardhur nga aplikimi në 2009, tek rekomandimi i parë i pakushtëzuar, imagjinoni se sa mund të zgjasë procedura e anëtarësimit”, – përfundoi Bushati. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat