Vapa shton aksidentet

Shqipëria

Vapa shton aksidentet

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 15:21
Policia e Shtetit

Vetëm gjatë 3 javëve të para të qershorit, 12 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara, numri pritet të rritet për shkak të shtimit të lëvizjeve gjatë sezonit turistik.

Aksidenti më i fundit me pasojë vdekjen ndodhi mëngjesin e kësaj të marte, kur një këmbësore u godit në rrugë. Pothuajse çdo ditë raportohen incidente në rrugë me pasoja tragjike.

Shkakun policia e shikon te shkelja e rregullave të qarkullimit nga shoferët, por edhe nga këmbësorët. Kryesore është humbja e vëmendjes për shkak të telefonit. Gjoba për telefonin shkon në 1 000 lekë. Në 6 muaj, 10 mijë shoferë janë penalizuar për këtë fakt, ndërsa ka rënie drastike numri i penalizimeve për mospërdorimin e rripit të sigurimit. Një drejtues automjeti që kapet pa rrip penalizohet rëndë dhe duket se kjo ka rritur numrin e atyre që vendosin rripin para se të ndezin makinën.

Rritja e shpejtë e numrit të aksidenteve përkon me rritjen e temperaturave. Çdo vit, kthimi i emigrantëve për pushime apo fluksi i makinave nga Kosova që vizitojnë bregdetin e Shqipërisë mbingarkojnë akset nacionale të vendit dhe aksidentet rriten.

Të pamësuar me mungesën e sinjalistikës në Shqipëri, shumë emigrantë përfshihen në aksidente rrugore, po ashtu si shoferët e Kosovës.

Por rrugët jashtë standarteve nuk janë i vetmi shkak i aksidenteve. Temperaturat e larta rrisin edhe konsumimin e alkoolit.

Ndërkohë në kryeqytet konstatohet një tjetër problematikë. Drejtuesit e mjeteve nuk respektojnë këmbësorët që kanë përparësi për kalimin në rrugë apo nuk dinë se si të lëvizin në rrethrrotullime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat