“Eja me mjet policie”, zbardhen përgjimet mes efektivit dhe hajdutit: Ik te prokurori që ta mbyllësh muhabetin

Shqipëria

“Eja me mjet policie”, zbardhen përgjimet mes efektivit dhe hajdutit: Ik te prokurori që ta mbyllësh muhabetin

Më: 17 qershor 2018 Në ora: 18:06
Engrid Henaj

Gjykata e Tiranës ka dënuar me një vit e shtatë muaj burg një ish-inspektor të Policisë së Shtetit, pasi ka ndihmuar një të kërkuar për vjedhje. Bëhet fjalë për ish-efektivin e “Shqiponjave”, Engrid Henaj, i cili u shpall fajtor për “shpërdorim detyre”, pasi ka ndihmuar dhe komunikuar gjatë kohës që ka qenë në kërkim, me shtetasin e arrestuar për vjedhje në kuadër të operacionit “Summer 2017”, Fatjon Lila.

Sipas dosjes hetimore, Henaj, gjatë kohës që ka qenë oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe më tej në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka pasur komunikime të vazhdueshme me shtetasin Fatjon Lila, i cili ka qenë person në kërkim, i paarrestuar dhe i pandehur për kryerjen e veprës penale “Vjedhjes”. Henaj, sipas dosjes, e ka njoftuar Fatjon Lilën që ka qenë nën hetim dhe i siguronte atij mjaft informacione që e ndihmonin t’i fshihej Policisë.

Efektivi konsumonte me Fatjonin lëndë narkotike dhe kërkonte prej tij favore të tjera. Ai i jepte të dhëna Fatjon Lilës. Këto të dhëna, punonjësi i Policisë Engrid Henaj i ka marrë nga sistemi TIMS ose informacione të nxjerra nga përgjimet, apo në forma të tjera. Gjithashtu, njëri prej mjeteve të vjedhura nga ana e shtetasit Fatjon Lila është gjetur në Tiranë dhe dyshohet se është ndihmuar nga Henaj që ta dërgojë makinën e vjedhur në Kavajë. Ngjarjet kanë ndodhur në maj-gusht 2017. Në bisedat mes tyre, Lila i kërkon policit që të vijë ta marrë në Qafë-Thanë me automjet policie, ndërkohë që ishte nën hetim. Kujtojmë se Lila është arrestuar në gusht 2017, në kuadër të operacionit “Summer 2017”, në të cilën u prangosën edhe persona të tjerë për vjedhje automjetesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat