“Nuk e dimë pse na e bëri këtë”, Prindërit flasin pasi gjetën vajzën të varur në pemë

Shqipëria

“Nuk e dimë pse na e bëri këtë”, Prindërit flasin pasi gjetën vajzën të varur në pemë

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 07:30
Foto ilustrim

Një 17-vjeçare i ka dhënë fund jetës për shkaqe ende të mistershme, pasi u gjet nga nëna e saj e varur në orët e para të së enjtes.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Stan Karbunarë në Lushnjë. Si çdo mëngjes, nëna e 17-vjeçares ishte zgjuar rreth orës 05:30 për të lidhur qenin e shtëpisë që gjatë natës e linin të lëshuar.

Ajo është tronditur kur ka parë në pemën e oborrit vajzën e saj adoleshente të varur dhe pa shenja jete. Vajza me inicialet T.G., siç bëhet e ditur nga burimet policore, dyshohet të jetë zgjuar herët në mëngjes e bindur t’i shkojë deri në fund planit të saj për vetëvrasje. Ajo kishte lidhur një litar në njërën prej pemëve në oborr, duke i dhënë kështu fund jetës në gjendje të rënduar psikologjike.

Familjarët janë munduar t’i vijnë në ndihmë vajzës, por ishte shumë vonë pasi ajo kishte ndërruar jetë. Policia shkoi në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Nga këqyrja e trupit të viktimës, mjekët ligjorë thanë se nuk kanë konstatuar shenja dhune dhe se vdekja i ka ardhur nga shtrëngimi në fyt. Burime nga hetimi tregojnë se pas marrjes në pyetje të familjarëve këta të fundit nuk kanë arritur të japin një arsye për veprimin e 17-vjeçares.

“Nuk e dimë pse na e bëri këtë. Ne të gjithë e trajtonim shumë mirë, ajo bënte çfarë donte në shtëpinë tonë dhe ka qenë mirë. Kohët e fundit ajo nuk komunikonte shumë me ne, por nuk e mendonim se kishte ndonjë shkak që të shkonte deri në këtë pikë. Nuk kishim të dhëna se ajo nuk ndihej mirë nga ana psikologjike që dhe ne të tregonim kujdes me të”, mësohet të kenë thënë prindërit e saj gjatë marrjes në pyetje nga Policia.

Ndërkohë, nuk përjashtohet pista e ndonjë depresioni të vajzës. Hetuesit thonë se, vajza mund të ketë qenë nën presionin e izolimit në fshat dhe kjo mund ta këtë shtyrë drejt aktit fatal.

Nga ana tjetër, Policia po hetohen edhe pista të tjera, ku një ndër to është ajo e zhgënjimit nga ndonjë histori dashurie që 17-vjeçarja mund të ketë pasur. Për këtë arsye, hetuesit po kontrollojnë telefonin e saj, për të mësuar nga mesazhet në rrjetet sociale nëse ekziston një hipotezë e tillë.

Por deri më tani kjo mbetet vetëm në kuadër dyshimi, pasi Policia nuk ka asnjë të dhënë për një histori të mundshme dashurie të adoleshentes. Mësohet se viktima e kalonte ditën në fshat me punët e zakonshme të saj, pasi nuk kishte ndjekur as arsimin e mesëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat