“Jam ‘gylenist’ sepse kështu do partia”, kreu i KMSH ironi me Erdoganin

Shqipëria

“Jam ‘gylenist’ sepse kështu do partia”, kreu i KMSH ironi me Erdoganin

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 06:35
Skënder Bruçaj

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar ka folur për herë të parë në lidhje me akuzat se institucioni që ai drejton është nën ndikimin e Fetullah Gylen. I pyetur nëse Rexhep Erdogan do të jetë i pranishëm në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, Bruçaj la të nënkuptohet se përpjekjet për ndërtimin e saj datojnë shumë më parë.

“Xhamia po ndërtohet me ndihmën e popullit turk… Kërkesa për palën turke që ta financonte daton që në vitin 1993”.

I pyetur në studion e “Real Story” për zërat kundër tij brenda radhëve të KMSH, Bruçaj tha se imamët janë liruar nga detyra në përputhje me statutin dhe rregullat.

“KMSH bën qarkullim imamësh në bazë të statutit që ka. Ne stafin e kemi të ndarë në disa kategori, imamë, myftinj, hoxhallarë. Sikurse edhe institucionet siç janë medresetë. Dhe unë vetë vij nga këto institucione. Por gjithmonë ka pasur paragjykime ndaj drejtuesve si në rastet ndaj Sabri Koçit, Sali Muçës”, deklaroi kreu i KMSH, Skënder Bruçaj.

Marrëdhëniet mes shtetit turk dhe KMSH nuk janë të mira. Kjo pasi ai akuzohet si një person nën ndikimin e Fetullah Gylenit, armikut të Erdoganit. Por, Skënder Bruçaj ka befasuar teksa ka folur për herë të parë mbi këtë problem.

“Mbaj mend kur kam qenë në klasë të 7-8, pak para se të binte komunizmi, dhe mësuesi bëri një konkurs për poezinë. Unë dola i pari dhe mësuesi e vendosi poezinë time në krye të kalsës. Një nga drejtuesit e shkollës e grisi poezinë time sepse isha djali i kulakut. Dhe babai tha: Kështu do partia o bir! Sikur im atë të ishte gjallë dhe të më pyeste: Përse të quajnë gylenist? Unë do ti jepja të njëjtën përgjigje: Sepse kështu do partia…”, u shpreh kreu i KMSH, Skënder Bruçaj.

Ai u shpreh se nuk e pranon që kreu i një shteti tjetër të ndërhyjë në punët e brendshme të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Madje, kreu i KMSH u shpreh se nëse politikanët vendas e të huaj nuk do të jenë të pranishëm në inaugurimin e “Namazgjasë”, kjo nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat