Mesazhi i Metës për besimtarët myslimanë

Shqipëria

Mesazhi i Metës për besimtarët myslimanë

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 22:04
Ilir Meta

Një ditë larg ditës së Bajramit dhe përmbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit, Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një mesazh të gjithë besimtarëve myslimanë.

Përmes një statusi në rrjetin social, Meta ka uruar myslimanët për një festë të gëzueshme ditën e nesërme.

STATUSI

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë,

Në këtë prag feste të madhe e gëzimi për ju dhe familjet tuaja, pas një muaji të shenjtë agjerimi, plot sakrifica e mundim, përkushtim e respekt ndaj besimit në Zot, ju shpreh urimet më të ngrohta dhe më të përzemërta: Gëzuar Festën e Bajramit të Madh!

Dita e shenjtë në kalendarin Islam, uroj të na gjejë më të paqtuar, më tolerantë e më solidarë mes nesh!

Mirëkuptimi, pranimi i tjetrit, harmonia e mrekullueshme ndërfetare dhe dashuria njerëzore, uroj të udhëheqin shoqërinë tonë për më shumë zhvillim e begati.

Bajrami i Madh është dita kur besimtarët myslimanë shfaqin vlerat dhe virtytet më të mira të besimit Islam por edhe të traditës së shqiptarëve, respektin e përkushtimin ndaj familjes, pranimin e të tjerëve, dhembshurinë e përkujdesjen ndaj njerëzve në nevojë, të pamundurve, të sëmurëve, jetimëve, të braktisurve dhe të moshuarve, duke iu gjendur pranë plot mirësi e bujari!

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ndodheni:

Zoti ju dhëntë shëndet, fat e begati në familje!

Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja, Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat