Kamp refugjatësh në Shqipëri, Meta: Përgjegjësi të tilla duan konsensus - Bota Sot
Kamp refugjatësh në Shqipëri, Meta: Përgjegjësi të tilla duan konsensus

Shqipëria

E martë, 21 gusht 2018

Kamp refugjatësh në Shqipëri, Meta: Përgjegjësi të tilla duan konsensus

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 12:20
Ilir Meta dhe Edi Rama

Në një deklarim për mediat kreu i Shtetit, Ilir Meta u pyet edhe në lidhje me një lajm që opozita përgjithësisht ka akuzuar mazhorancën për ndërtimin e një kampi për pritjen e luftëtarëve të Ballkanit të larguar nga ISIS.

Meta u shpreh se për këtë temë nuk kishte diskutuar gjatë takimit të djeshëm me kryeministrin Rama.

Por sipas tij për një vendimmarrje të tillë duhet një konsensus i gjerë.

"Nuk e kemi diskutar këtë çështje. Unë mendoj se çdo vendim duhet të merret në dialog të qeverisë, parlamentit dhe çdo institucioni tjetër, pasi marrja përsipër e përgjegjësive të tilla duhet të gëzojë dhe një konsensus" u shpreh Meta. 

Po dje gjatë një interviste për Anadolu Agency kryeministri Rama u shpreh se pretendimet  për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh apo qendre për trajtimin e luftëtarëve të huaj, nuk reflektojnë të vërtetën.

Ai tha se Shqipëria ka ngritur një qendër e cila është një qendër studimore, programesh, analizash, ndërveprimesh kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe që është propozuar që të zgjerohet në një qendër rajonale, qendër ekselence që ka të bëjë me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe që trajton në rrugë të ndryshme këtë fenomen.

Sipas tij kjo nuk ka të bëjë asgjëkund me ndonjë koncept të një qendre në kuptimin e një qendre grumbullimi njerëzish dhe aq më pak pastaj me "konceptin krejtësisht të pavend dhe madje qesharak të mbledhjes së gjithë ish-ushtarëve të ISIS-it (DEASH) në këtë qendër".

“Pra është thjeshtë një fantazi. Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Evropian nuk mund të ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Evropa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe Shqipëria ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, për aq sa i takon. 

Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne", tha dje Rama.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test