Qeveria miraton shtesë fondesh, për çështje të arbitrazhit ndërkombëtar

Shqipëria

Qeveria miraton shtesë fondesh, për çështje të arbitrazhit ndërkombëtar

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 21:18
Qeveria e Shqipërisë

Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit një shtesë fondesh në buxhetin e vitit 2018, për ministritë e Turizmit dhe Mjedisit, të Financave dhe Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjisë, për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar.

Sipas këtij vendimi, në buxhetin e miratuar për vitin 2018 bëhet një shtesë fondesh, për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, të një fondi prej 516 146 euro dhe 99 660 paund për kryerjen e pagesave të faturave të firmës avokatore “Gowling WLG” në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar “ICSID, nr.Arb/14/26”, me palë “Albaniabeg Ambient, sh.p.k”., “M.Angelo Novelli” dhe “Costruzioni S.R.L.” kundër Republikës së Shqipërisë.

Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në programin “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme”, i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit 1 000 000 euro për kryerjen e pagesave të shërbimeve juridike në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar “ICSID case no.ARB/17/6” me palë “Anglo-Adriatic Group Limited” kundër Republikës së Shqipërisë;

Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Mbështetje për energjinë”, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit 600 000 euro për kryerjen e pagesave të faturave të firmës avokatore “Gowling WLG” për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar “ICC kundër Hydro S.R.L.”.

Efekti financiar, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018, citon vendimi i mësipërm. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat