"Dyshoja se më tradhtonte me pronarin, ia plasa kokën në çimento", dëshmia tronditëse pas vrasjes së gruas

Shqipëria

"Dyshoja se më tradhtonte me pronarin, ia plasa kokën në çimento", dëshmia tronditëse pas vrasjes së gruas

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 10:34
Çlirim Shaholli

“Dyshoja se bashkëshortja më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte.

Ky ishte shkaku, për të cilin nisi konflikti mbrëmjen e ngjarjes”. Kështu është shprehur dje 42- vjeçari Çlirim Shaholli para togave të zeza për vrasjen e bashkëshortes së tij, Ardjana Shaholli, para se Gjykata të vendoste masën e sigurisë me burg pa afat ndaj tij.

Babai i gjashtë fëmijëve ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa ka shprehur pendesë për veprimin e rëndë.

“Kishim konflikte të herëpashershme. Përplaseshim verbalisht gjithmonë. Atë mbrëmje u konfliktuar, pasi unë dyshoja se më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte. I thashë të ishte e sinqertë dhe të më tregonte. I kërkova të më thoshte të vërtetën. Aty situata u përkeqësua. Nisëm të debatonim. Ajo me kërkonte llogari përse nuk punoja. Më ofendoi duke më thënë se je i padobishëm. Aty m’u errësuan sytë dhe u kapëm fytazi të dy. Ajo më shtyu mua dhe unë e shtyva atë. 

Ra në tokë. E kapa prej flokësh dhe ia përplasa pesë-gjashtë herë kokën në çimento, derisa ra pa ndjenja. Unë nuk kisha për qëllim ta vrisja, thjesht isha shumë i ofenduar dhe shumë xheloz. Jam penduar thellësisht për veprimin e gabuar. U kërkoj ndjesë të gjithëve. Në radhë të parë, Anës, që i mora jetën dhe në radhë të dytë fëmijëve të mi, që i lashë jetimë dhe në mes të katër rrugëve. Nuk di çfarë të them, jam thellësisht i penduar për veprimin tim të pafalshëm dhe fatal”, deklaroi para togave të zeza Çlirim Shaholli, autori i krimit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Ai nuk kërkoi mëshirë, ndërsa i bëri thirrje trupit gjykues të zbatonte ligjin. “Pranoj çdo vendim dhe masë që Gjykata do marrë. Unë gabova dhe duhet të ndëshkohem”, shtoi më tej autori i krimit që i mori jetën 40-vjeçares, nënë e gjashtë fëmijëve, më i vogli vetëm 1 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën njëkatëshe të çiftit.

Pas një debati, bashkëshorti e përplasi përtokë gruan, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Policia tha se viktima, Ardjana Shaholli, 40 vjeçe, mbërriti në spital në gjendje të rëndë dhe me dëmtime në kokë rreth orës 20:00 të së premtes.

Si pasojë e plagës të rëndë në kokë, ajo nuk ka mundur të mbijetojë. Për ngjarjen u ndalua nga Policia bashkëshorti i saj 42-vjeçar, Çlirim Shaholli. Ka qenë ky i fundit që ka dërguar në spital bashkëshorten. Në momentin e krimit, asnjëri nga fëmijët më të rritur nuk ndodhej në shtëpi, pasi kishin shkuar te gjyshërit. Familja Shaholli ishte me origjinë nga Korça dhe ishte vendosur prej disa vitesh në zonën e Spitallës në Durrës.

Konfliktet mes çiftit ishin konstatuar edhe nga të afërmit dhe komshinjtë, të cilët tregojnë se Ardjana vuante pasojat e dhunës nga bashkëshorti i alkoolizuar dhe i papunë. Nëna e gjashtë fëmijëve u përcoll ditën e diel për në banesën e fundit, ndërsa gjashtë fëmijët e saj që mbetën jetimë do të jetojnë me gjyshërit, të cilët jetojnë në objektin pranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat