Krimi mjedisor, një nga problemet më madhore në Shqipëri

Shqipëria

Krimi mjedisor, një nga problemet më madhore në Shqipëri

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 08:19
Ilustrim

Një ekspozitë-konkurs në artin pamor, me temë “Krimi mjedisor”, u çel sot në galerinë “FAB” në Tiranë.

Ekspozita organizohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Universiteti i Arteve, me punime të studentëve të Arteve të Bukura.

Duke folur për arsyet e zgjedhjes së kësaj teme, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se krimet mjedisore njihen në mbarë botën si një problem me rritje të shpejtë, prej 5-7% në vitin 2017, dhe se ky problem ekziston edhe në Shqipëri.

“Arti mund të kontribuojë për reflektim dhe ndërgjegjësim. Arti pamor ka dëshmuar se ka fuqi thelbësore për trajtimin e shumë çështjeve. Shpresoj që kjo ekspozitë të provokojë reagimin e shoqërisë dhe të institucioneve dhe ne të arrijmë t'i bëjmë krimet mjedisore më të dukshme,” tha ai.

Një juri e përbërë nga pedagogë, artistë dhe ambasadori Borchardt shpalli dy punimet më të mira.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 17 qershor.

Ky është viti i dytë që organizohet një ekspozitë-konkurs i tillë, pas atij të vitit të kaluar, me tema “Përballja me të kaluarën” dhe “Ekstremizmi i dhunshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat