Punimet në autostradën Tiranë – Durrës, Gjiknuri tregon se kur do jetë gati

Shqipëria

Punimet në autostradën Tiranë – Durrës, Gjiknuri tregon se kur do jetë gati

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 10:42
Damian Gjiknuri

Nisën sot punimet për rikonstruksionin e autostradës Tiranë – Durrës.

I pranishëm ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, i cili u shpreh se do të punohet çdo ditë 24 orë.

Sipas tij gjithçka do jetë gati në fund të muajit qershor, ndërsa paralajmëroi se do të ketë ndërhyrje në të gjitha rrugët kryesore në vend.

Ai theksoi se ky aks ka nevojë për ndërhyrje më të thelluar, por po planifikohet se kur do ndodhë.

“Situata degradoi në këtë pikë, ndërhyrja është emergjente për të eliminuar të gjitha problematike e shfaqura në këtë rrugë. Por kjo rrugë meriton ndërhyrje më serioze, të cilën jemi duke e planifikuar. Pse filluam tani ndërhyrjen? Kontrata e mirëmbajtjes me BB prej 1300 km rrugë ka pasur problemet e veta të trashëguara, gjatë këtyre muajve ne zgjidhëm gjithë problematikat e këtij projekti, që po dështonte. Ky nuk është segmenti i vetëm që po ndërhyhet. Në muajt në vazhdim do ketë ndërhyrje në gjithë akset kryesore në të gjithë vendin.

Do të eliminohen të gjitha problemet e trashëguara ndër vite. Kantierët janë të domosdoshme, ndonëse krijohet trafik. Janë marrë të gjitha masat që të punohet 24 orë. Brenda qershorit ky segment do jetë plotësisht i rehabilituar dhe do të jetë e hapur për trafik. Pra, vetëm dy javë shqetësim. Fakti që filluam tani është për shkak të lënies pas dore të kontratës. Po bashkëpunojmë dhe me policinë për trafikun. Qytetarët që duhet të shkojnë në jug është mirë të marrin rrugën e Elbasanit, pjesa tjetër të ndjekin udhëzimet e policisë.

Kjo rrugë është konsumuar, është shkatërruar, për shkak edhe të tonazheve të rënda. Këtu do punojmë me policinë, që të mos lejojmë më kamionët të kalojnë të tejmbushur. Kjo rrugë kërkon ndërhyrje shumë serioze, që projekti i bankës nuk i përfshinte.

Rrugët kanë nevojë për financime serioze, nevoja për rrugë është shumë më e madhe se buxheti i shtetit, të gjithë duhet të investojmë. Në korrik dhe gusht nuk do të ketë më probleme me këtë rrugë”, tha Gjiknuri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat