Mjekja e plazhit

Shqipëria

Mjekja e plazhit

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 15:22
Gjiri i Lalzit

Fjorba është mjeke specializante në kardiokirurgji dhe vitet e fundit është angazhuar në ofrimin e shërbimit mjekësor pranë qendrave shëndetësore verore në vend.

Kjo verë e gjen vajzën nga Gjirokastra në shërbim 24-orësh pranë qendrës shëndetësore të Gjirit të Lalzit, plazhet e të cilit kanë një shtrirje të gjerë dhe vitet e fundit janë shumë të frekuentuara nga pushuesit.

“Na kanë ardhur medikamentet dhe gjithçka është gati”, thotë Fjorba.

Qendra shëndetësore është hapur më 1 qershor dhe një ditë pas mbytjes së 22-vjeçarit, pranë saj është vendosur dhe autoambulanca për t’u ardhur në ndihmë në një kohë sa më të shkurtër personave në rrezik. Funksionimi i qendrës është mëse i nevojshëm për operatorët turistikë në zonë, edhe pse në pikun e sezonit turistik nevojat do të ishin për më shumë se një qendër.

“Shërbimi shëndetësor është shumë i nevojshëm për pushuesit. Ka incidente nga më të ndryshmet. Ka pasur që nga pickimet nga kandili i detit deri te mbytjet”, deklaron një nga operatorët turistikë.

Sipas mjekes Mana, gastroenteritet janë problemet më të shumta që paraqesin pushuesit në bregdet. Një vit më parë ajo ka shërbyer në plazhin e Dhërmiut, ku shërbimi mjekësor në orët e vona të natës ka qenë mjaft intensiv, ndërsa ky sezon pritet të ketë më shumë ngarkesë gjatë ditës.

Në këtë Qendër Shëndetësore Verore shërbejnë 3 mjekë dhe 3 infermierë, në turne 24-orëshe. Gjatë kësaj jave ajo është pajisur me medikamentet dhe pajisjet e duhura për të përballuar sëmundshmëritë e stinës së nxehtë dhe urgjencën mjekësore, por për mjekët më mirë se të mjekosh është të parandalosh, ndaj këshillat janë gjithnjë të vlefshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat