Xhafaj në Kroaci, merr mbështetje për negociatat

Shqipëria

Xhafaj në Kroaci, merr mbështetje për negociatat

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 20:25
Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci i ftuar nga homologu i tij, Davor Bozhinoviç.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci i ftuar nga homologu i tij, Davor Bozhinoviç.

Ministrat e Brendshëm ndër të tjera diskutuan dhe ranë dakord mbi problematikën e menaxhimit të flukseve migratore, duke theksuar se në kushtet aktuale BE-ja duhet të ndihmojë më shumë vendet e rajonit.

Në takimin e zhvilluar në Zagreb, u konfirmua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe ndihma e pakursyer e Kroacisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

E pranishme në takim për palën kroate ishte edhe Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Teresa Gras, e cila ka qenë pjesë e kontakteve të vazhdueshme mes dy ministrive për të thelluar bashkëpunimin në tema të sigurisë, menaxhmit te kufijve dhe migracionit të jashtëligjshëm.

Palët konfirmuan bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve partnere dhe mike, të cilat kanë traditë të përbashkët në procesin e integrimit euro-atlantik.

Ministri Xhafaj bëri një ekspoze të reformave dhe ecurinë e Shqipërisë në përballje me krimin e organizuar, Vettingun në Polici, Policimin në Komunitet, bashkëpunimin policor rajonal dhe ndërkombëtar etj.

Xhafaj edhe gjatë konferencës së perbashkët për mediat konfirmoi interesin dhe angazhimin për projekte të përbashkëta rajonale për menaxhimin e sezonit turistik.

Bashkëbiseduesit ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit mes policive të dy vendeve, në kuadër rajonal.

Në kuadër të proceseve integruese, Kroacia mbetet një model për integrimin evropian të Shqipërisë.

Ministri Xhafaj mori garancitë për mbështetjen pa kushte të Kroacisë në procesin e hapjes së negociatave me BE.

Takimi nga të dy palët u vlerësua si shumë i suksesshëm dhe frytdhënës.

Në fund, Ministri Xhafaj e ftoi homologun Bozhinoviç për një vizitë në Tiranë për të konkretizuar më tej projektet e bashkëpunimit mes dy qeverive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat