Bizneset janë mbyllur kurse turistët s’dinë ku të shkojnë... kjo është rruga që të çon në kanal!

Shqipëria

Bizneset janë mbyllur kurse turistët s’dinë ku të shkojnë... kjo është rruga që të çon në kanal!

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 15:04
Pamje nga protesta

Banorët e disa fshatrave të Rrogozhinës kanë protestuar për rrugën dytësore, 1.5 km të gjatë, të ndërtuar pa standard sipas tyre, pasi ka një hyrje por jo dalje dhe në fund rruga të çon vetëm drejt një kanali.

Vetë banorët thonë se me ndërtimin e rrugës dytësore ata janë izoluar tërësisht: “Rrugët janë për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë. Kjo rrugë na ka vrarë”.

Edhe bizneset në këto zona kanë falimentuar, ndërsa turistët kërkojnë ndihmën e vendasve për të gjetur daljen: “Makinat ndalojnë dhe pyesin se ku të nxjerr kjo rrugë. Kjo rrugë nuk të nxjerr asgjëkundi. Bizneset mbyllen se nuk të vjen njeri këtu”.

Pjesa më e madhe e banorëve të Gosës, tokat bujqësore i kanë në anën tjetër të autostradës dhe përveçse i duhet të kalojnë çdo ditë mespërmes makinave, e kanë të pamundur që të gjejnë mjete për të transportuar prodhimet.

“Shtëpitë lart dhe tokat poshtë. Nuk ke si kalon. Për 200 metra, duhet të bëj 7 kilometra”, shprehen banorët.

Por ndërtimi i kësaj rruge dytësore ka bllokuar edhe kanalet kulluese, pasi mbi to është hedhur beton. Rruga duhet të ishte përfunduar 4 vite më parë dhe pavarësisht premtimeve, rruga ende sot është pa krye.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat