Meta shtron Iftar për Ramazanin: Indetiteti ynë fetar dhe shoqëror është europian

Shqipëria

Meta shtron Iftar për Ramazanin: Indetiteti ynë fetar dhe shoqëror është europian

Më: 30 maj 2018 Në ora: 21:40
Ilir Meta ka shtruar në Pallatin e Brigadave një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shtruar në Pallatin e Brigadave një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit. Të pranishëm kanë qenë kreu i KMSH, Haxhi Skënder Bruçaj, udhëheqës fetarë të bashkësive shqiptare, ambasadorë e përfaqësues diplomatikë, teologë e personalitete të ndryshme. Presidenti Meta gjithashtu ka uruar besimtarët myslimanë për Ramazanin.

“Ju uroj gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë agjërim të mbarë. Vlerësoj sakrificën e besimtarëve në përkushtimin ndaj Zotit si dhe ndaj vlerave humane. Muaji i bekuar i Ramazanit është muaji i mirëkuptimit, paqes dhe i mëshirës hyjnore.

Historia e shqiptarëve është një histori mbijetese, qëndrese dhe lufte për liri dhe identitet.

Në këtë përpjekje të përbashkët myslimanët e të krishterët shqiptarë janë ndodhur në krah të njeri tjetrit në të gjithë sfidat për pavarësi, emancipim dhe dinjitet shoqëror. Përkulem me nderim të veçantë për kontributin e vetëmohimin e tyre në Rilindjen Kombëtare, Kryengritjet e mëdha të Pavarësisë, qëndresën ndaj diktaturës si dhe në çdo betejë të tyre për lirinë e fesë dhe ndërgjegjes.

Kjo tolerancë e harmoni fetare duhet ruajtur e kultivuar vazhdimisht. Është detyra jonë të investohemi gjithnjë e më shumë në të ardhmen për harmoninë fetare të vendit tonë. Modeli shqiptar i harmonisë ndër fetare merr një vlerë të shtuar në sfidën globale mbi nevojën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës së kulturave dhe qytetërimeve.

Shqipëria, një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqërore, përfshirë edhe bashkësitë fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në BE.  Identiteti ynë kombëtar, fetar e shoqëror është dhe mbetet identitet thellësisht evropian”,  deklaroi Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat