Lajmi i mirë për nxënësit me aftësi të kufizuara, ja çfarë ka vendosur qeveria shqiptare

Shqipëria

Lajmi i mirë për nxënësit me aftësi të kufizuara, ja çfarë ka vendosur qeveria shqiptare

Më: 29 maj 2018 Në ora: 07:56
Ilustrim

Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj ku propozohen disa ndryshime në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar.

Ndryshimet janë jo të vogla, duke qenë se parashikohet ngritja e një sërë institucionesh të reja e të pavarura dhe në total paketa e ndryshimeve pritet të sjellin një efekt financiar shtesë prej 232 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me shtimin e kategorisë së nxënësve me aftësi të kufizuara, ndër kategoritë e nxënësve që mbështeten financiarisht nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Kësaj kategorie, tashmë së bashku me nxënësit e familjeve në nevojë dhe nxënësit me arritje të shkëlqyera do t’u mbulohen shpenzimet e teksteve shkollore, dhënia falas e mjeteve mësimore dhe çantave, mbulimi i shpenzimeve të transportit dhe mbulimi i shpenzimeve për ushqim.

Vetëm për 4 mijë nxënësit e kësaj kategorie të re që përfiton ndihmë, kërkohen nga buxheti i shtetit 226 deri në 230 milionë lekë.

Projektligji i ri legjitimon portalin “Mësues për Shqipërinë” si mënyrën për emërimin e mësuesve të rinj. Gjithashtu propozohet krijimi i një regjistri shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, ndërsa nxënësit që përfundojnë këto programe do të marrin një certifikatë nga shteti shqiptar.

Bazuar në relacionin e projektligjit, ndryshimet pritet t’u japin një fuqi më të madhe vendimmarrëse në arsim edhe prindërve përmes shtimit të një anëtari në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, si dhe krijimit të Këshillit Kombëtar të Prindërve. Mënyra se si do të organizohet dhe funksionojë ky këshill do të bëhet e ditur më vonë në rast të miratimit të ligjit përmes një udhëzimi të MASR, por nuk do të ketë efekte financiare shtesë.

Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave. Drejtori dhe nëndrejtori i institucionit arsimor duhet të t’u nënshtrohen trajnimit pranë Shkollës së Drejtorëve, një strukturë e re që do të ngrihet me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Kandidatët për drejtorë duhet të ketë të paktën 5 vite përvojë pune si mësuar, ndërsa pas emërimit nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në forumet drejtuese të partive politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat