“FBI ka bërë ekspertizën për audio- përgjimin... Rama nuk kishte çfarë të bënte!”

Shqipëria

“FBI ka bërë ekspertizën për audio- përgjimin... Rama nuk kishte çfarë të bënte!”

Më: 27 maj 2018 Në ora: 13:26
Rama dhe Xhafaj

Ka qenë FBI dhe Ambasada Amerikane në Tiranë ajo që ka kryer ekspertizën e zërit mbi audio- përgjimin e publikuar disa ditë më parë nga PD, ku pretendohej se vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte i lidhur me krimin e organizuar në Vlorë dhe drejtonte trafikun e drogës në qytet.

Kështu shkruan avokati Spartak Ngjela, i cili shton përmes një statusi në rrjetin social se Kryeministri shqiptar është vënë në dijeni dhe se kësisoj nuk ka patur mundësi të shkarkojë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Sipas Ngjelës, ashtu si edhe opozita, Edi Rama ka dashur që Fatmir Xhafaj të dilte nga “skena”. Avokati shton më tutje se kjo ka qenë e pamundur pasi SHBA i qëndron fort Ministrit të Brendshëm, ish drejtuesi i reformës në drejtësi dhe një njeri i “preferuar” nga amerikanët.

Kësisoj Ngjela pa dashur zbardh dhe emrin e agjencisë së specializuar për të cilën fliste Rama dikur, por pa i përmendur kurrë emrin.

“Rama provokoi rëndë politikën amerikane, dhe ajo iu përgjigj ashpër me ambasadorin Lu. Por menjëherë FBI dhe organet e specializuara amerikane konstatuan nga analiza spektrale e zërit se audiopërgjimi Babalaj, ishte një falsitet destabilizues. Amerikanët e vunë në dijeni kryeministrin shqiptar, dhe ky i përpunuar doli dhe me frikë tha që "analiza e zërit tregon që audiopërgjimi është falsitet". Ministri nuk u shkarkua dot prej tij.

U kundërpërgjigjën injorantët e korruptuar duke thënë se nuk bëhet analiza spektrale e zërit në dy ditë. 

Analiza spektrale e zërit të krahasuar nga FBI bëhet në më pak se një orë, por kur ke të bësh me injorantë, është e kotë të merresh me ta. Ku e dinë këta derëzes e punëzes se çfarë është analiza spektrale e zërit!”-shkruan Ngjela.

Më tutje avokati i drejtohet çështjes së ambasadorit të ri që pritet të vijë në Tiranë. Ngjela shkruan se shumëkush në politikën shqiptare u mërzit kur pa që Ambasadori Donald Lu u rizgjodh nga Departamenti i Shtetit sërish si ambasador në një vend tjetër. Teza se Lu ishte ai që tërhiqte fijet në Shqipëri dhe jo vetë SHBA u rrëzua, shton Ngjela, i cili më tutje shprehet se ende nuk dihet emri i pasuesit të Lu në Tiranë.

Por avokati shton se koha e bën të nevojshme që politika amerikane të sjellë në Shqipëri një personalitet të njohur e të fortë, në mënyrë që reforma kundër korrupsionit politik të vijojë më me forcë.

“Po kush vjen tani në Shqipëri.

Ende nuk dihet, por koha sot në Shqipëri, në funksion të aleancës shqiptaro-amerikane, kërkon që politika amerikane të sjellë këtu një personalitet të njohur amerikan.

Ambasadori amerikan në Tiranë sot hyn në pesë ambasadorët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të shohim se kush do të vijë. Por kjo politikë amerikane do të vijojë më me forcë kundër korrupsionit shqiptar.

Shqiptarët treguan dje se po presin sa më shpejt rezultatet e Reformës së nisur nga amerikanët në ndihmë të shrrënjosjes së korrupsionit në Shqipëri.

Ajo që dihet me siguri është fakti se të gjithë të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë, sot janë të humbur dhe të gjithëve iu është identifikuar shuma e parave dhe pronave që kanë përfituar nga korrupsioni.”- përfundon Ngjela.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat