Sikur edhe 3 vetë të ishin në shesh, prapë nder do ishte/ Ja reagimi i aleatit të Bashës...

Shqipëria

Sikur edhe 3 vetë të ishin në shesh, prapë nder do ishte/ Ja reagimi i aleatit të Bashës...

Më: 27 maj 2018 Në ora: 10:34
Protesta e djeshme

”Sikur tre veta të ishim në atë shesh, prapë do të ishte një nder”. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar mbi protestën e opozitës, e zhvilluar dje në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Duka falënderon pjesëmarrësit, dhe kërkon intensifikimin e aksionit opozitar, pasi sipas tij Parlamenti nuk është më tempulli i demokracisë, por i krimit dhe i drogës.

Reagimi i plotë i Dukës:

Dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që morën pjesë në protestën. Uroj gjithashtu shërim të shpejtë për qytetarët dhe atyre që ishin duke kryer detyrën në radhët e policisë së Shteti.

Gjykoj se debati dashakeq mbi pjesëmarrjen qytetare është jo vetëm shterp, por i stisur nga ata që për përfitime personale mbajnë në këmbë një mazhorance të pamoralshme.

Sa kohë që brenda institucioneve do ketë njerëz të lidhur me krimin, dhe politikanë që kanë fituar postet falë mbështetjes së tij, sikur tre veta të ishim në atë shesh, prapë do të ishte një nder pozicionimi i qartë kundër kësaj të keqeje.

Unë e di që jemi nga krahu i duhur i historisë; e di që kemi të drejtën morale që ne, dhe fëmijët tanë, të gëzojmë një qeveri të pastër nga krimi dhe droga. E di që debati për ekonominë, bujqësinë, zhvillimin dhe të ardhmen evropiane po mbahet peng nga betonizimi i mazhorancës me krimin.

E di unë, e dinë edhe shqiptarët e ndershëm.

Është hera e tretë që të gjithë bashkë kemi dalë në shesh në më pak se 6 muaj, por sot kam kuptuar se kjo nuk mjafton. Duhet një ndryshim i qartë i strategjisë sonë për të çliruar institucionet, ndoshta rruga institucionale është drejt fundit, dhe ky debat duhet të nisë sa më parë.

Jo sot, as të hënën, por në 17 qershor, një ditë pasi KE të jetë shprehur për negociatat, për të mos i dhënë asnjë justifikim otomanëve që shiten si evropian.

Parlamenti nuk është më tempulli i demokracisë, por i krimit dhe i drogës.

Nëse do të presim që të ndërgjegjësohen ata që me ndërgjegje të plotë kanë kanabizuar vendin dhe politikën, atëherë do të jetë një pritje e gjatë e një dite që nuk do të vijë kurrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat