Fjalimi i shkruar prej tij, Basha: Shpresën që nuk e vrau dot as komunizmi, e vrau Rilindja

Shqipëria

Fjalimi i shkruar prej tij, Basha: Shpresën që nuk e vrau dot as komunizmi, e vrau Rilindja

Më: 26 maj 2018 Në ora: 15:48
Lulzim Basha

Ky është fjalimi i plotë i Kryetarit të PD Lulzim Basha, në protestën e sotme. Politiko ka kontaktuar me burime në zyrën e komunikimit në PD për të marrë vesh se cili është autori i fjalimit, dhe ka zbuluar se Basha e ka shkruar vetë fjalimin. Një gjë që nuk ndodh zakonisht pasi, herë pas here, për tekstet e tij ‘punojnë’ njerëz nga kjo zyrë apo apo dhe ide që vijnë nga publicistë afër Partisë Demokratike.

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra,

Ja kjo ditë e uruar që lind nga perëndon,

atë anë e ke ndriçuar e ne pse na harron?

Dritëz e jetës dhe e vërtetës, dritna na, zgjona!

Një shekull e gjysëm më parë kur Shqipëria lëngonte në zgjedhën osmane, Naim Frashëri iu kujtonte shqipatrëve se dielli ynë lind në Perëndim.

Këto fjalë monumentale janë sot më të vërteta se kurrë.

Sot në këtë shesh jemi mbledhur me qindra mijëra për dritën e të vërtetës, për dritën e jetës, për diellin tonë që lind në Perëndim, për atë dritë që na u mohua në gjysëm shekulli komunizëm, për atë dritë që iu mjegullua shumë herë këto tre dekada tranzicioni, për atë dritë që sot kanë bllokuar retë e zeza të krimit, të drogës dhe korrupsionit.

Por pikërisht atëherë kur është më errët njeriu e kërkon më shumë dritën. Ndaj sot më shumë se kurrë sytë tanë kërkojnë dritë, kërkojnë dritën që vjen nga Perëndimi edhe pse ajo na shkëlqen nga larg.

Sot jemi mbledhur me qindra mijëra në këtë shesh për të treguar se jemi europianë dhe si europianë ne besojmë tek liria, ne besojmë tek demokracia, besojmë tek shteti i së drejtës, si europianë.

Ne sot protestojmë për liri, demokraci e drejtësi me dinjitetin dhe forcën e njerëzve të lirë.

Ne jemi këtu për t’i treguar Europës, ne jemi këtu për t’i treguar Perëndimit se qeveria bizantine që sot sundon ndër ne nuk përfaqëson popullin, nuk përfaqëson aspiratën e shqiptarëve.

Ne jemi mbledhur në këtë shesh për të qëndruar si europianë përballë qeverisë më antieuropiane që ka sot Europa.

Përpjekja jonë nuk është përplasje mes opozitës dhe qeverisë, përpjekja jonë nuk është luftë për pushtet. Përpjekja jonë është përpjekja e popullit kundër sundimtarit shkatërrues.

Përpjekja jonë është betejë mes të mirës dhe të keqes. Është beteja mes njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që kanë kapur drejtësinë. Është beteja mes njerëzve që duan siguri dhe rend, dhe aleancës së pushtetit me krimin.

Problemi që ka sot Shqipëria nuk është problem i marrëdhënieve opozitë-qeveri. Problemi që ka sot Shqipëria është mungesa e demokracisë, është rënia e shtetit të së drejtës, është dhunimi i të drejtave të qytetarëve, është shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni.

Sot nga ky shesh i mbushur si  kurrë më parë ne dëshmojmë se ne nuk e pranojmë autokracinë, se ne nuk e pranojmë korrupsionin. Se ne nuk mbyllim sytë para krimit dhe drogës. Ne sot dëshmojmë se demokracinë, përparimin dhe stabilitetin mund ta sjellë dhe garantojë vetëm njerëzit e lirë dhe kurrë jo autokratët e korruptuar.

Kohë më parë, popullit të këtij vendi iu premtuan vende pune. Por të vetmet punë që kjo qeveri hapi janë ato në fushat e drogës.

Kohë më parë, këtij populli iu premtua mirëqenie. Por e vetmja mirëqenie që kjo qeveri krijoi është luksi për vete dhe për miqtë e saj.

Kohë më parë këtij populli iu premtua drejtësi. Por e vemtja drejtësi që kjo qeveri solli, është mbrojtja për kriminelët. Ndaj sot shqiptarët po largohen nga vendi i tyre. Me mijëra, çdo vit. Qindra mijëra të tjerë ëndërrojnë të ikin.

Në vitet 90-të shqiptarët u turrën drejt botës, për të prekur sa më parë lirinë dhe Perëndimin. Sot ata po dynden drejt botës, sepse kanë frikë të jetojnë në vendin e tyre. Sepse nuk besojnë më, se në Shqipëri do të ketë liri dhe demokraci perëndimore

Shpresën që nuk e vrau dot as komunizmi, e vrau Rilindja.

Rilindja është një projekt anti-kombëtar, në shërbim të egos pa kufi për pushtet, dhe marrëzisë së një individi.

Rilindja është projekt i një njeriu, urrejtës i lirisë dhe dinjitetit njerëzor, përcmues i atdheut të tij.

Si hakmarrje ndaj atdheut dhe njerëzve të tij, etja për pushtet, megallomania e injorancës, mungesa e dashurisë për vendin dhe njerëzit,e futi “Rilindjen” në hendekun e shkatërrimit të kombit, në rrugën e krimit dhe të drogës, të grabitjes së pasurive të vendit, të zhytjes së vendit në borxhe dhe prapambetje ekonomike.

Projekti i Rilindjes u ngrit mbi katër gjëma anti-kombëtare dhe anti Europiane:

Mbi aleancën me krimin, si burim parash, votash dhe force.

Mbi zëvendësimin e shtetit të së drejtës, Kushtetutës dhe institucioneve,

me sundimin personal, arrogant e të korruptuar.

Mbi përqëndrimin e të gjitha pasurive të vendit, dhe të gjithë pushtetit ekonomik në pak duar.

Mbi propagandën, mashtrimet dhe keqinformimin e shfrenuar, për të fshehur realitetin.

Rilindja nuk degradoi rrugës. Rilindja ishte që në ngjizje një projekt kriminal, për pasurim dhe pushtet personal, të një individi, dhe një grushti lakejsh rreth tij.

Ndaj që ditën e parë, Rilindja e plaçkiti atdheun. Ndaj që ditën e pare, Rilindja vandalizoi demokracinë.

Pas 5 vjetësh, Rilindja ka ndërtuar një sistem kriminal politik dhe ekonomik.

Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga politika, por nga pazaret.

Pushteti nuk buron nga vota, por nga paraja.

Pushteti nuk buron nga vullneti i njerëzve të lirë, por nga forca e dhunës.

Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga vetëdija qytetare por nga mashtrimi dhe gënjeshtra qeveritare. Ndaj pushteti i sotëm nuk është më pushtet i njerëzve, por pushtet i një pakice të zhytur e që zhytet përditet e më shumë në krim.

Një pakice që zhvat përditë e më shumë paratë e shqiptarëve.

Një pakice që prodhon përditë e më shumë propagandë e mashtrim për të mbajtur në këmbë këtë pushtet të padrejtë, kriminal dhe të korruptuar.

Gjithçka që fitohet me anë të ndërgjegjies, mbahet duke e thelluar të keqen.

Prandaj trafiku i drogës sa vjen e rritet, prandaj krimi sa vjen e shtohet, prandaj ministrat e brendshëm janë përherë të lidhur me krimin dhe drogën.

Prandaj korrupsioni sa vjen dhe thellohet, sepse ky pushte i ka rrënjët tek krimi dhe droga.

Ndaj frytet e tij janë, më shumë krim dhe drogë, më shumë varfëri, papunësi dhe dëshpërim për shqiptarët.

Sot nuk duket të më asnjë iluzion se kjo qeveri mund të çlirohet vetë nga krimi, se kjo qeveri do ta luftojë vetë drogën, se kjo qeveri do të përmirësohet.

Sot duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar dhe të gjithë botën, se ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar.

Vëllezër dhe motra,

Në këto 30 vite, udhëtimi ynë politik ka qenë plotë ulje dhe ngritje.

Kemi kaluar nga euforia dhe entuziazmi për ndryshimin, tek dëshpërimi i përcëritjes të së keqes në një cikël që vërtitet e vërtitet e nuk mbaron.

Ndaj sot ne nuk kërkojmë thjeshtë ndryshimin e qeverisë por ndarjen e politikës një herë e mirë nga krimi, korrupsioni, nga e keqja.

Ne sot kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit, punon për të ardhmen e tyre.

Por asnjë qeveri nuk bëhet vetë e mirë.

Pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli.

Të përparuara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të mjera janë vendet ku populli e ka frikë qeverinë.

Ndryshimi fillon vetëm atëherë kur populli nuk i zë besë pushtetit.

Kur populli sheh çdo pushtet me dyshim.

Asnjë qeveri nuk duhet lënë për mbikqyrje sepse pushteti abuzohet kur pushtetarët nuk japin llogari, kur njerëzit nuk e ngrenë zërin, kur njerëzit nuk ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre.

Ne duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj që premtojnë dëma të mëdha, që rrahin gjoksin si profet.

Shqipëria ka nevojë për udhëheqës normal, që punojnë për njerëzit, që respektojnë njerëzit, që sillen si europianë, që janë modestë dhe të përulur si europianë dhe nëse nuk sillen si të tillë duhet t’i ndërrojmë sa më parë pa pritur që e keqja të bëhet mal.

Për këtë duhet të kemi besim tek vota. Njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk ka vlerë. Kur njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk mund të sjellë ndryshim atëhere vota me të vërtetë nuk ka për të patur vlerë, atëherë vota do të shitet e do të blihet, atëhere vota do të dhunohet.

Arma jonë e demokracisë është qytetari i lirë dhe votë në dorë por mbi të gjitha ne kemi nevojë për besimin tek vetja, tek forca jonë, tek energjia jonë, tek fuqia jonë. Ne kemi nevojë të besojmë se ne mudn të bëjmë Shqipërinë, kemi nevojë të besojmë se ne mund ta mposhtim të keqen e të ndërtojmë të mirën.

Nëse 5 vitet e fundit kanë treguar një gjë është kjo; sa herë njerëzit janë bërë bashkë qoftë edhe pak qindra, ata ia kanë dalë. Mendoni se sa të fuqishëm jeni kur bëhemi bashkë me mijëra, me dhjetëra mijë, me qindra mijëra. Atëhere pushteti do të jetë vërtetë i njerëzve dhe të shërbim të njerëzve.

Vëllezër e motra ne për 5 vjet kemi luftuar krimin në politikë. Kemi luftuar drogën dhe trafiqet, kemi luftuar kapjen e shtetit, të medias dhe ekonomisë. Ka qënë një përpjekje  e mundimshme.

Unë dhe ju kemi provuar çdo gjë, talljen, mashtrimin, presionet, dhunën. Kemi provuar braktisjen dhe vetminë ku pushteti bëri gjithçka për të na larguar nga kjo përpjekje por Zoti dhe e vërteta na dhanë kurajon të vazhdojmë.

Dhe ja ku jemi sot bashkë në këtë demonstrim të jashtëzakonshëm të aspiratës tonë për demokraci, për dinjitet, për vlera europiane, për një jetë më të mirë dhe shpresë për çdo shqiptar.

Ne nuk jemi këtu nga dëshpërimi, ne jemi këtu nga dobësia, ne kemi dalë në këtë shesh si trumfatorë sepse kemi trumfuar mbi frikën, sepse kemi trumfuar mbi gënjeshtrën, mashtrimin dhe propagandën. Sepse kemi triumfuar mbi krimin dhe pushtetin e bërë njësh me të.

Mes jush sot këtu, unë nuk jam për të kërkuar pushtet për vete. Nuk jam këtu për të zaptuar, nuk jam këtu për të qënë mbi ju. Jam këtu për të marrë kurajo dhe për të ju dhënë kurajo. Për të qënë një nga ju! Për të qënë bashkë me ju.

Çfarë na pret përpara, nuk është më sfida e një njeriu!

Nuk është më udhëtimi i një njeriu!

Është udhëtimi i të gjithëve ne, është udhëtimi i gjithë shqiptarëve duke e ndjekur dritën që lëshon, diellin që lind në perëndim.

Zoti është treguar zemërgjerë me ne që na ka dhënë një vend në mes të perëndimit. Na ka falur natyrë të mrekullueshme. Na duhet punë, na duhet këmbëngulje dhe do të jemi një vend i begatë, një vend i përparuar, një vend i denjë europian.

Ka një baticë në punën e njerëzve e cila kur kapet çan drejt fatit. Kur kjo mundësi humbet, jeta lëngon në cektina dhe mjerim. Ne e kemi humbur shpesh çastin tonë dhe kemi humbur shumë vjet në cektina dhe mjerim, por tani batica po ngrihet përsëri. Ky është momenti ynë, kjo është vala që po ngrihet, e po ngrihet e po ngrihet…

Le të lëshohemi mbi të në këtë udhëtim drejt të ardhmes europiane për vete dhe fëmijët tanë. Për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë sonë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë çdo shqiptar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat