“Kam gabuar, por s’pyes njeri”, babai i Marvi Mihalit padit prokurorin: Liroi vrasësit e tim biri

Shqipëria

“Kam gabuar, por s’pyes njeri”, babai i Marvi Mihalit padit prokurorin: Liroi vrasësit e tim biri

Më: 26 maj 2018 Në ora: 09:12
Pavllo Mihali

Disa ditë pas lirimit të tre nga katër të rinjtë për vrasjen e Marvi Mihalit, 22-vjeçarit të vrarë për një karikues telefoni në korrik të vitit 2017, babai i tij, ish-sportisti i atletikës Pavllo Mihali, ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Kallëzimi i tij është bërë ndaj prokurorit të çështjes, dy gjyqtarëve dhe ndaj një oficeri të Policisë Gjyqësore. “Panorama” siguron të plotë kallëzimin e Pavllo Mihalit, i cili po bën çdo gjë që të vihet drejtësi për vrasjen makabre të të birit në Tiranë. Mihali akuzon fort prokurorin Artan Lulaj, i cili ka ngritur akuzë për vrasje vetëm për njërin nga të arrestuarit, ndërsa tre të tjerët i ka lënë të lirë.

Ai, madje ,ka rrëfyer në kallëzim edhe takimin me prokurorin Lulaj, i cili, sipas tij, i ka thënë se “nuk pyet njeri” për punën e tij. Kallëzimi është dërguar edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, Kryeprokurores Arta Marku. Kujtojmë se më 11 maj të këtij viti, u liruan nga qelitë e paraburgimit Eugen Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla, ndërsa i vetmi që mbeti në burg është Dejvi Bitraj, që ka marrë autorësinë e krimit.

Mirëpo, nga pamjet filmike duket që qartë se Dejvi Bitraj, pasi e godet me thikë në shpinë Marvi Mihalin, largohet nga vendngjarja më shpejtësi, ndërsa tre të tjerët vazhdojnë ta dhunojnë barbarisht deri sa i riu jep shpirt.

KALLËZIMI

Kallëzimi është bërë më datë 24 maj 2018 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndaj Artan Lulajt, prokuror, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Bedri Qori, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Sokol Pasho, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Kliton Zharrit, oficer i Policisë Gjyqësore.

Pavllo Mihali i akuzon ata për “korrupsion pasiv” në lidhje me lirimin e tre prej vrasësve të djalit të tij. “Unë i nënshkruari Pavllo Mihali…”, shkruan babai i viktimës në kallëzim, “ju paraqes këtë kallëzim penal në emër të familjes sime dhe bashkëshortes, Mira Mihali, për problemin tim, të cilin po jua relatojmë si më poshtë: Ne jemi prindërit e Marvi Mihalit, i cili është goditur me thikë barbarisht nga një grup prej katër kriminelësh, ku më pas, si pasojë e goditjeve të marra, ka gjetur edhe vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, më datë 31.07.2017. Duke ndjekur me vëmendje procesin penal, duam të denoncojmë me forcë të madhe veprimet abuzive, poshtëruese ndaj familjes sonë dhe djalit tonë të vetëm, Marvi Mihali, korrupsionin evident, shkeljen flagrante të ligjeve të drejtësisë shqiptare të personave të veshur me pushtet si më poshtë:

1-Artan Lulaj, prokuror i çështjes së djalit tonë, Marvi Mihali. Ky person, në kundërshtim të hapur me detyrën fisnike që i ka ngarkuar shteti shqiptar, shkel të gjitha të drejtat tona dhe të djalit tonë, Marvi Mihali, duke lënë të lirë tre nga katër të pandehurit e procesit penal.

Ky prokuror, në mënyrë abuzive gjatë 8 muajve të fundit, nuk na thërriti qoftë edhe një herë për të komunikuar dhe për të na dëgjuar në lidhje me ngjarjen makabre, ku 4 persona, në bashkëpunim me njëritjetrin, vranë djalin tonë të vetëm, Marvi Mihali. Ky prokuror, në këmbim të shumave të parave, këmbeu gjakun e derdhur të djalit tonë me lirinë e tre kriminelëve, duke i liruar me akuzën e “moskallëzimit të krimit”, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, edhe pse nuk ishin në asnjë nga kushtet dhe kriteret për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale.

Ne prindërit e Marvi Mihalit, viktimës së veprës penale, edhe pse i paraqitëm provat e pakundërshtueshme, ai me arrogancë u shpreh se ‘kam gabuar’ dhe ‘ju shkoni ku të doni, unë nuk pyes njeri’. Dhe jo vetëm, ky prokuror, në mënyrë të fshehtë, takohej me baballarët e kriminelëve Bitraj dhe avokatin e tyre, Ilir Murati, që të merrte ryshfetin duke ua dhënë lirinë e pamerituar vrasësve të tim biri. Ai, pa na lajmëruar as ne si palë e dëmtuar dhe as përfaqësuesit tanë ligjorë, vepron kundër ligjit, duke liruar tre kriminelët pa shkuar në seancën e gjykimit paraprak.

Gjithashtu, ai, në mënyrë të qëllimshme, gjatë tetë muajve, nuk u ktheu asnjë përgjigje merove të dërguara nga ne dhe përfaqësuesit tanë ligjorë. Ky prokuror, në mënyrë të qëllimtë, e zvarriti këtë proces për 8 muaj, me paramendim që të përfitonte ryshfete të majme, duke bashkëpunuar me kriminelët, gjë që e tregojnë edhe shkeljet e tij flagrante. Në përfundim të hetimeve gjyqësore, në kundërshtim flagrant me ligjin, ai bën ndryshimin e cilë- simit juridik të veprës penale për të pandehurit e tjerë, Eugen Bitraj, Marsel Alla dhe Kridens Alla, duke i akuzuar përfundimisht për veprën penale të ‘moskallëzimit të krimit’, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Për këtë bëj kallëzim bazuar edhe në prova, fakte, dokumentacione e video që zotëron familja ime, të cilat do t’iu vihen në dispozicion, bashkëngjitur këtij kallëzimi.

2- Bedri Qori dhe Sokol Pasho, gjyqtarët që liruan tre kriminelët. Këta gjyqtarë, duke iu errësuar sytë nga ryshfeti, në bashkëpunim me prokurorin Artan Lulaj, në mënyrë të fshehtë, duke shkelur të gjitha rregullat dhe normat më elementare të procedurës penale, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe duke shkelur afatet kohore, si edhe nenin 58 të Kodit të Procedurës Penale, pa na lajmëruar ne si palë e dëmtuar, lirojnë tre nga katër personat nën hetim për vrasjen e djalit tim, duke qenë në kundërshtim me kushtet dhe kriteret për ndryshimin e masës së sigurimit, përpara gjykimit të seancës paraprake.

3-Kliton Zharri, oficer i Policisë Gjyqësore, ky person, në bashkëpunim me tre të parët, ka shkelur rëndë ligjet e këtij vendi, duke u korruptuar, ndryshuar procesverbalet që në Polici dhe duke marrë ryshfet në mënyrë të paligjshme. Familja ime, në dhimbjen e madhe që po përjeton nga humbja e djalit tonë të vetëm, beson dhe shpreson në drejtësinë shqiptare, se këta njerëz të veshur me pushtet, me papërgjegjshmërinë e tyre shkelin dhe dhunojnë në radhë të parë ligjin dhe pastaj gjakun e një të pafajshmi.

Ata duhet të dënohen ashtu siç e meritojnë. E bëra këtë kallëzim me përgjegjësi të plotë, pa shtuar aspak asgjë që nuk ka ndodhur, për t’i kërkuar ndihmë autoritetit tuaj për të vënë drejtësi për djalin tonë”, shkruan kallëzimi penal i dorëzuar nga Pavllo Mihali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat