Tsereteli: Forcat politike të angazhohen për hapjen e negociatave me BE

Shqipëria

Tsereteli: Forcat politike të angazhohen për hapjen e negociatave me BE

Më: 24 maj 2018 Në ora: 23:58
George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella në takim me Bushatin

Forcimi i sigurisë dhe bashkëpunimit midis vendeve anëtare të OSBE, me diplomacinë parlamentare, reformën zgjedhore në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe shumë çështje të tjera, ishin subjekt i bisedës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së,  George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Roberto Montella, vlerësuan rolin dhe kontributin që Shqipëria jep në proceset e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në kuadër të OSBE. Tsereteli vlerësoi reformat e thella të ndërmarra nga Shqipëria si në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik të vendit, të një qeverisje të mirë, por edhe në reformën zgjedhore, luftën kundër fenomeneve që pengojnë progresin, si korrupsioni etj. Ai inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë rrugëtimin në këtë drejtim, rrugëtim i cili e sjellë edhe më afër me BE, për çka Shqipëria do të ketë edhe mbështetjen e AP të OSBE-së.

“Të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të angazhohen sa më shumë në nxitjen e progresit të vendit, në realizim të objektivit për hapjen e negociatave me BE, mbasi i gjithë ky angazhim shkon, në fund të fundit, në shërbim të popullit”, vuri në dukje Presidenti i AP të OSBE.

Ministri Bushati foli në vijim për rolin e rëndësishëm që Asambleja Parlamentare e OSBE luan për përballimin e sfidave me të cilat ndeshet kjo organizate, si me çështje të luftës kundër terrorizimit, ekstremizmit të dhunshëm, zgjidhjes së konfliktit në dhe rreth Ukrainës apo në vende të tjera ku ka konflikte të ngrira, për të cilat Shqipëria ka dhënë dhe jep kontributin e saj. Nëpërmjet delegacionit të saj parlamentar në OSBE, Shqipëria ka kontribuar dhe do të vazhdojë të kontribuojë për ruajtjen dhe forcimin e paqes në rajonin e Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit rajonal, nëpërmjet pjesëmarrjes dhe kontributit të të gjitha vendeve të rajonit. Duke iu referuar procesit te anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Ministri Bushati vuri ne dukje se “Shqipëria ka marrë tashmë një rekomandim të pakushtëzuar nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave me BE, bazuar në progresin e bërë dhe pret tashmë edhe vendimin e Këshillit për formalizimin e tij. OSBE mund të japë në vijim një kontribut me ekspertizën e saj në ato fusha ku Shqipëria do të negocioje me BE, të cilat ndërlidhen edhe me prioritet e kësaj organizate”, vuri ne dukje Ministri Bushati./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat