Shqipëria gati për hapjen e negociatave me BE

Shqipëria

Shqipëria gati për hapjen e negociatave me BE

Më: 24 maj 2018 Në ora: 12:19
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati

Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka arritur një standard ku konsiderohet gati për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka shpalosur në Kuvend, para deputetëve të mazhorancës raportin mbi gjetjet dhe rekomandimet e KE.

Bushati nënvizoi se për herë të parë Shqipëria ka një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian pa asnjë kusht që nga viti 2009 që kur Shqipëria aplikoi për të qenë vend anëtar i BE.

Bushati u shpreh se në 2016-ën, Komisioni Evropian i rekomandoi Këshillit hapjen e bisedimeve për anëtarësim duke shoqëruar këtë rekomandim me mirëkuptimin që Shqipëria do të zbatonte ligjin për vettingun apo siç njihet ndryshe, vlerësimi i figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në të njëjtën kohë do të siguronte progres në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për anëtarësim.

“16 muaj më vonë, në 17 prill, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë në mënyrë të qartë apo siç thuhet në mënyrë të përditshme të pakushtëzuar. Paketa e Zgjerimit e 2016-s, para 16 muajsh, shtoi për herë të parë edhe disa kritere të reja për vlerësimin e vendit, përfshirë këtu jo vetëm progresin e vendeve krahasuar me vitet e mëparshme por, edhe nivelin e përgatitjes së tyre për të qenë vend anëtar”, tha Bushati.

Lidhur me aspektet politike, Bushati tha se raporti vlerëson pozitive marrëveshjen ndërpartiake e muajit maj të 2017 e cila shërbeu jo vetëm për zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve, por edhe për miratimin e shumë akteve që lidhen me vijimin e reformave në fushat e prioriteteve kyçe.

“Sa i përket anës ekonomike, KE vlerëson zhvillimin funksional të ekonomisë së tregut. Duke theksuar përparimin në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe transportit. Sa i përket progresit të 5 prioriteteve, raporti thekson se ka progres në krahasim me vitin 2016. Raporti përmend se Shqipëria mund të konsiderohet shembull sa i përket procesit të vlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ngritjes së institucioneve të sistemit të drejtësisë”, tha Bushati.

Bushati nënvizoi se Qeveria shqiptare ka vullnet të plotë për të ecur në rrugën e reformave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat