Lëkundet kauza/ PD tërhiqet nga komisioni ‘Tahiri’, frikë nga hetimet

Shqipëria

Lëkundet kauza/ PD tërhiqet nga komisioni ‘Tahiri’, frikë nga hetimet

Më: 24 maj 2018 Në ora: 07:22
Komisioni

Partia Demokratike është tërhequr në mënyrë të befasishme nga komisioni hetimor parlamentar për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve ashtërore në fenomenin e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë edhe çështjen “Tahiri”.

Ky komision hetimor u ngrit me kërkesë dhe me këmbënguljen e Partisë Demokratike, në kuadër të kauzës së saj më të rëndësishme, ‘luftës kundër drogës’. Për rrjedhojë, opozita ka propozuar kryetarin e komisionit, duke marrë kësisoj drejtimin e hetimeve. Por, që në fillim të muajit maj, opozita nuk ka demostruar më vullnet për ushtrimin dhe përmbushjen e detyrës që i ka ngarkuar Parlamenti, me vendimin numër nr. 30/2018.

Tërheqja e opozitës nga komisioni, i cili mund të mblidhet vetëm me kërkesë të kryetarit, përkon me një kërkesë të përfaqësuesve të mazhorancës për zgjerimin e objekti të hetimit, duke përfshirë edhe periudhën para vitit 2014, kohë e përcaktuar nga demokratët.

Kjo kërkesë u pasua me tetë shkresa të paraqitura nga përfaqësuesit e shumicës, drejtuar institucioneve ligjzbatuese, për t’i vënë në dispozicion komisionit informacione specifike, për kultivimin dhe trafikun e drogës, duke përfshirë edhe rolin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të nivelit të lartë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, sidomos pas vitit 2015. Njëra prej shkresave kërkon të dhëna edhe lidhur me sasinë prej 613 kg kokainë të kapur së fundi në Portin e Durrësit, cila agjenci ligjzbatuese e ka kapur, nëse ka patur sinjalizime nga agjenci partnere etj.

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi zbulimin e të dhënave tronditëse në ditët në vijim, për lidhjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike me kokainën e kapur në Durrës. Ramës iu përgjigj deputeti i PD, Gent Strazimiri, i cili tha se kokaina e Xibrakës dhe kokaina e Maminasit janë të Genci Xhixhës, Ermal Hoxhës, Olsi Ramës dhe shokëve të tij. Megjithatë, Partia Demokratike nuk ka më interes për të hetuar as kokainën e Durrësit, as çështjen ‘Tahiri’ dhe as të gjithë fenomenin e drogës në tërësi, për të cilin ka ngritur zërin prej tre vitesh.

PS dërgon vetë shkresat
Kryetari i komisionit hetimor për çështjen e drogës, Edi Paloka nuk ka firmosur kërkesat e anëtarëve të mazhorancës, drejtuar disa institucioneve, për informacion, me argumentin se janë jashtë objektit të hetimit. Në këto kushte, anëtarët i PS ua kanë dërguar vetë shkresat organeve shtetërore. Konfirmimi vjen nga anëtarja e komisionit hetimor, Klotilda Ferhati, deputete e Partisë Socialiste.

Mendoj se interesi i opozitës për komisionin hetimor ka rënë. Ende komisioni nuk ka miratuar planin e hetimeve. Plani propozohet nga anëtarët pasi merren informacionet që secili ka të drejtë të kërkojë në institucione të ndryshme. Kryetari i komisionit nuk i ka firmosur kërkesat tona për informacione. Ne i kemi dërguar vetë shkresat nëpër institucione. Objekti i punës së komisionit, sipas vendimit të Kuvendit, nuk ka referime kohore. Askush nuk mund të kufizojë të drejtën e anëtarëve që të hetojnë.

Deputetja Klotilda Ferhati për Shqiptarja.

Verifikimet nga Basha tek Balili
Një prej shkresave të përfaqësuesve të PS në komision hetimor i drejtohet ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku kërkohet informacion mbi trafikun e drogës, personat e implikuar dhe detaje të tjera, që nga viti 2005 deri në vitin 2013, kur Sali Berisha u rrëzuar nga pushteti.

Një nga pikat kërkon informacion në lidhje me takimet e ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Withers apo të vendeve të tjera partnere si edhe të agjencive që asistonin Policinë e Shtetit me ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha në lidhje me shqetësimet e përcjella nga z. ambasador për implikimin e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike.

Një tjetër shkresë i drejtohet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku kërkohen të dhëna lidhur me grante të dhëna Klement Balili ose të afërmve të tij, vlera e tyre, kur dhe nga kush janë dhënë si dhe për çfarë janë dhënë. Një tjetër kërkesë i drejtohet SHISH, rreth të dhënave në lidhje me dorëheqjen ish-drejtorit të Forcës Lëvizëse Operacionale Arjan Muçaj, pas përplasjeve me ish krahun e djathtë Berishës, Agron Kuliçaj.

Verifikim për tre gjyqtarë
Anëtarët e majtë në komisionin hetimor i kanë kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të dhëna rreth çështjes në ngarkim të bosit të drogës Abdulselam Turgut, i arrestuar në Shqipëri, për llogari të drejtësisë gjermane, më 18.02.2014, por që mundi të arratisej më pas.

Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit Tiranë, i përbërë nga Gjin Gjoni, Agron Papajani dhe Hysni Demiraj, vendosën masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi” për të arrestuarin, masë kjo e shfrytëzuar nga turku Abdulselam Turgut, për t’u arratisur. Vetëm 48 orë pas lirimit nga Apeli, Policia Gjyqësore kontrolloi në adresën e deklaruar, në godinën e ndodhur në “Kthesën e Kamzës” Tiranë, në katin e 8-të, por nuk e gjeti shtetasin turk aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat