IKMT-së i humb adresa e ndërtimit pa leje

Shqipëria

IKMT-së i humb adresa e ndërtimit pa leje

Më: 23 maj 2018 Në ora: 21:40
Dokumenti

Fiks Fare ka denoncuar sonte sesi IKMT i ka vënë gjobë një qytetari për një ndërtim pa leje, që nuk gjendet se ku e ka ndërtuar, duke i ndryshuar destinacionin, herë në Velipojë e herë në Bushat, pa pasur koordinata të sakta. Për më tepër, IKMT kërkon t’i vjelë gjobën jo atij që ka emrin në vendim, por një tjetri që nuk ka ndërtuar ndonjëherë pa leje dhe nuk e di se ku është kryer ky ndërtim.

Rasti u denoncua në Fiks Fare nga qytetari Kol Shaben, i cili është banor i fshatit Plezhë në Bushat. Ai shpjegoi për emisionin investigativ se më 29 mars i kishte shkuar me postë një shkresë nga përmbarimi për një gjobë 500 mijë lekë dhe 36 mijë lekë tarifë shërbimi për përmbaruesin.

Sipas tij, gjoba i ka shkuar në emrin Kol Shaba, pa asnjë të dhënë tjetër identifikuese dhe menjëherë ka informuar IKMT-në dhe përmbarimin se ai quhet Kol Shaben dhe jo Kol Shaba dhe ka kërkuar shpjegime për këtë gjobë. Pas kësaj, IKMT e ka informuar se bëhet fjalë për një ndërtim në Velipojë dhe nëse ka pretendime t’i drejtohet gjykatës. Për këtë arsye, ai kërkoi ndihmën e emisionit, duke shpjeguar se nuk ka ndërtuar ndonjëherë në Velipojë dhe që jeton në një shtëpi të ndërtuar nga gjyshi i tij që para viteve ’90 në Plezhë të Bushatit.

“Pse duhet t’i drejtohem gjykatës, kur nuk kam ndërtuar ndonjëherë pa leje dhe nuk kam dijeni se si është vendosur kjo gjobë”, tha Kol Shaben. Me shkresën e tij, Fiks Fare shkoi për të verifikuar ndërtimin pa leje në Velipojë, por në shkresë nuk kishte asnjë të dhënë për adresën e saktë, ndërkohë që edhe banorët nuk e njihnin Kol Shabën, që ishte gjobitur.

Prandaj, Fiks Fare kërkoi shpjegime nga IKMT. Për gazetarët e Fiksit, IKMT ndryshoi pretendimet që ishin deklaruar në shkresë, duke shpjeguar se nuk bëhet fjalë për një ndërtim në Velipojë, por për një ndërtim në Bushat, ndërkohë që për emrin e ngatërruar nuk pranoi të japë shpjegime, duke deklaruar vetëm që “qytetari t’u drejtohet institucioneve të tjera”. Pra pavarësisht se gjoba është vendosur në emër të qytetarit Kol Shaba, IKMT këmbëngul që paratë t’ia marrë qytetarit Kol Shaben.

Pas ndryshimit të vendit ku është ndërtuar të ndërtimit pa leje, IKMT tha se do na shoqërojnë inspektorët në vendin ku është ndërtimi pa leje. Gazetarët e Fiksit shkuan, por specialistët nuk pranuan të japin shpjegime, duke bërë vetëm një identifikim nga larg, në fshatin Plezhë të Bushatit, pra atje ku banonte Kol Shaben. Kur pyetëm qytetarin Kol Shaben për ndërtimin tjetër, ai tha se as ai ndërtim nuk ishte i tij, por i vëllait të tij dhe sipas tij nuk është ndërtuar në vitin 2016, siç pretendon IKMT, por që para vitit 2015 dhe është aplikuar për legalizim pranë ALUIZNI-t, duke e vërtetuar këtë fakt me dokumentet përkatëse.

Gazetarët e Fiksit iu drejtuan sërish IKMT-së, këtë herë specialistëve në Shkodër, të cilët, sipas dokumenteve, kishin bërë verifikimin në terren. Por, pavarësisht se Fiks Fare priti për 3 orë gjatë orarit zyrtar pranë zyrave të IKMT në Shkodër, asnjë specialist nuk u paraqit në zyrë për të dhënë shpjegime sesi i vërtetojnë shkeljet e konstatuara në terren, duke iu shmangur detyrimit ligjor për të mbrojtur pretendimet e tyre për ndërtimin pa leje që nuk i gjendet adresa e saktë dhe për përgjegjësinë e qytetarit Kol Shaben, që kërkojnë t’i vjelin gjobën, kur nuk ekziston asnjë fakt se ai ka ndërtuar pa leje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat