“Mora dy djem të rinj me 400 mijë lekë, punuan 3 ditë, pastaj e lanë”

Shqipëria

“Mora dy djem të rinj me 400 mijë lekë, punuan 3 ditë, pastaj e lanë”

Më: 23 maj 2018 Në ora: 15:01
Edi Rama

Panairi i Punës, i cili po shndërrohet në traditë për qytetet e mëdha të vendit, u çel edhe në Gjirokastër. Sipërmarrje të ndryshme, në bashkëpunim zyrat e punës, ofrojnë 420 vende të lira pune, por edhe kurse të formimit profesional sipas kërkesave të tregut të punës sot.

Kryeministri Edi Rama ishte vizitor në stendat e panairit, ku dhe u njoh drejtpërsëdrejti me mundësitë që ofrohen për punësim, jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe për zonat përreth. Sipas përfaqësuesve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, kërkesat nga ana e bizneseve për vende të lira pune janë në rritje. Disa nga përfaqësuesit e kompanive në panair shprehen se kërkesat për punonjës të kualifikuar tashmë po kthehen në kriter. “Janë dy kompani fason. Njëra kërkon 200 punëtorë, tjetra 50. Kemi pak vështirësi në gjetjen e njerëzve. Kualifikimi në përgjithësi është problem. Tani kërkojnë punëtorë të kualifikuar, të cilët njohin dhe kompjuterin. Njëra prej sipërmarrjeve që kërkon punëtorë, punon me kompani gjermane, që zënë 42 % të tregut të punës në Europë,” shpjegon përfaqësuesi i njërës nga sipërmarrjet. 

Shqetësim për punëdhënësit mbetet refuzimi që herë pas here të rinjtë i bëjnë punës së ofruar. “Mora dy djem të rinj, punuan 3 ditë dhe kapën 70 % të normës, ditën e katërt thanë nuk vijmë. Paga neto ishte 400 mijë lekë,” tregon një sipërmarrës.

Ofertat në panair janë nga më të larmishmet, ku bashkë me ofertat e punës shpesh ofrohet edhe kualifikim. E tillë është një fabrikë e përpunimit të ullirit. “Kjo firmë nuk ka shumë kërkesa për nivelin  e lartë të arsimit. Brenda javës  mund t’i kualifikojnë dhe të fillojnë punën,”– thotë një përfaqësues i saj.

Inxhinier elektrik, agjent shitjesh në terren, mekanik, tornitor janë disa prej profesioneve të shpallura nga sipërmarrjet. “Ne kërkojmë mekanik dhe një tornitor. Mekaniku të ketë aftësi të njohura profesionale, të njohë mirë makineritë, të ketë arsimin e duhur që t’i përshtatet profesionit. Gjithashtu edhe një tornitor që të ketë të gjitha kualifikimet e duhura që i nevojiten një fabrike të madhe siç është kjo e prodhimit të kartopicetave,” – shpjegon një përfaqësuese e firmës.

Edhe Forcat e Armatosura përfaqësohen me stendën e tyre në panair. “Janë 100 vende pune për ushtarake për ata që duan të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura. Kjo ofertë vlen për ata që kanë mbaruar shkollën e mesme, që janë nën moshën 26 vjeç dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e FA. Janë 50 vende të reja pune që hapen për oficer në muajin shtator, përveç këtyre që janë aktualisht. Që në momentin që ato fillojnë punë tek Forcat e Armatosura paguhen dhe njëkohësisht trajnohen për një vit. Pagesa është 400 mijë lekë të vjetra plus bonuset që përfitojnë”- shprehen dy prej ushtarakëve, të cilët pohojnë se interesimi nga ana e të rinjve është i lartë.

Ndërkohë një biznes tjetër, në të cilin janë punësuar rreth 100 punëtorë me ndihmën e zyrës së punës, ka hapur filialin e tij edhe në Këlcyrë.?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat