Xhafaj në Holandë: Task-forcë e përbashkët me Roterdamin, e mundshme

Shqipëria

Xhafaj në Holandë: Task-forcë e përbashkët me Roterdamin, e mundshme

Më: 22 maj 2018 Në ora: 22:11
Xhafaj vlerësoi mbështetjen e Holandës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht për çka ne duhet të bëjmë në të ardhmen.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ndodhen në Holandë për një vizitë pune, e në ditën e parë ata u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb. Në këtë takim mori pjesë, po ashtu, edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

“Kjo do t’i japë një dimension të ri bashkëpunimit dypalësh, përfshi këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë. Një dokument i tillë do të na japë mundësinë të punojmë së bashku për çështje që janë shqetësuese për të dy palët”, mësohet të jetë shprehur Xhafaj duke theksuar në këtë kontekst se po shikon me shumë seriozitet mundësinë e caktimit të një oficeri të Policisë së Shtetit të dedikuar vetëm për Roterdamin. Bëhet e ditur se ministri i është referuar eksperiencës shumë te mirë me Gjermaninë lidhur me funksionimin e Task Forcës Anti-skifter dhe hodhi idenë që kjo gjë mund të bëhet edhe me Roterdamin.

Që në fillim të takimit Aboutaleb, vlerësoi vizitën e autoriteteve të larta nga Shqipëria, si një mundësi shumë e mirë përveç të tjerave, për të parë nga afër si funksionon në Roterdam ai që quhet trekëndëshi i sigurisë komunitare: Bashki – Polici – Prokurori.

Më tej ministri Xhafaj vlerësoi mbështetjen e Holandës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht për çka ne duhet të bëjmë në të ardhmen. “Holanda gjithmonë ka krijuar shpresë, jo të kundërtën” u shpreh Xhafaj.

Edhe Prokurori i Roterdamit i pranishëm në takim, u shpreh për ndërtimin e një marrëdhënie model për bashkëpunimin me Prokurorinë sa i takon çështjeve të hetimeve, ndjekjes penale dhe konfiskimeve të aseteve. Kjo do të na ndihmojë, shtoi ai, të ndërtojmë më shumë besim tek njëri- tjetri, të bëjmë më shumë progres. Ai po ashtu, hodhi idenë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore.

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj e njohu Kryetarin e Bashkisë së Roterdamit me punën e madhe që ka kryer Shqipëria në reformimin e sistemit të drejtësisë, si një nga mjetet më efektive për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe trafikimin. Gjithashtu, Ministrja, në vijim edhe të vizitës së z.Aboutaleb në Tiranë, nëntorin e kaluar, e informoi atë mbi ecurinë e procesit të vetingut dhe zbatimin e reformës në drejtësi, si një nga reformat më të mëdha që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare me qëllim ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe eficent.

Përfaqësuesi i Policisë, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë shqiptare, duke shtuar se Dokumenti i Bashkëpunimit do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në çështje konkrete, duke veçuar sidomos takimin në nivel ekspertësh për çështje të migracionit dhe konfiskimit të aseteve.

Në vijim Kryetari i Bashkisë, vlerësoi rekomandimin e KE për Shqipërinë duke shtuar se ne do ta mbështesim Shqipërinë në këtë proces, duke ju dhënë njerëzve shpresë. Ai hodhi idenë e zbatimit të më shumë projekteve me karakter ekonomik, si një mënyrë e krijimit të vendeve të punës dhe largimit të të rinjve nga rruga e krimit. Ai preku po ashtu edhe çështjen e atyre që përpiqen të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, në kërkim të një mundësie më të mirë jetese atje.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe mundësitë e punësimit në mënyrë të ligjshme në Holandë, duke shtuar se tregu i punës është tashmë në lulëzim.

Ai i kërkoi Ministrit Xhafaj që përfaqësues të Policisë të vijnë në Holandë për periudha afat-shkurtra për të parë dhe analizuar nga afër problemet që ndeshen.

Ai shfrytëzoi edhe njëherë këtë takim për të shprehur kundërshtinë e tij, ndaj asaj që shpesh etiketohet si “krimi etnik”, duke shtuar se “ne po adresojmë me shumë vëmendje çështje të racizmit, diskriminimit, ashtu sikurse jam kundër profilizimit të krimit në terma etnikë”.

Nga ana e tij, Ministri Xhafaj, u shpreh se “ne besojmë shumë në atë çka ju si individ dhe funksionar i lartë përfaqësoni”.

Ministri ndau të njëjtin mendim me Kryetarin e Bashkisë sa i takon tregut të punës, duke sjellë shembullin e Gjermanisë.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Kryetarit të Bashkisë, Ministri Xhafaj, deklaroi se policët e parë që do të vijnë në Holandë, do të vijnë në Roterdam.

Më tej, ai vlerësoi rolin e kryetarit si një avokat i Shqipërisë. Për të parë më mirë këtë rol, ju keni nevojë për rezultate konkrete, ndaj jam këtu për t’ju prezantuar rezultatet konkrete të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar.

Ministri u prezantoi të pranishmëve një set dokumentesh, të cilat tregojnë rezultatet në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, azil kërkimit, migracionit të paligjshëm, etj.

Në mbyllje të takimit, Kryetari i Bashkisë së Roterdamit, u shpreh se ju jeni sot në një qytet të rëndësishëm të Holandës. Filozofia e punës time është “të ndash mendime dhe ide, do të thotë t’i shumëfishosh ato. Kjo, sipas meje është mënyra më e mirë e bashkëpunimit. Ne i kemi të gjitha potencialet ta thellojmë këtë bashkëpunim, duke hapur kësisoj së bashku një dritare të re bashkëpunimi për të ardhmen”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat